Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka urdhëruar të martën mbylljen e Ambasadës dhe konsullatës së shtetit të tij në Ekuador, për t'u solidarizuar me Meksikën e cila ka kundërshtuar fuqishëm një bastisje të autoriteteve ekuadoriane në ambasadën meksikane në Quito.
Maduro e ka bërë të ditur vendimin e tij të martën gjatë një takimit me liderët e Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe atyre të Karaibeve, raporton AP.
Autoritetet ekuadoriane e kanë bastisur Ambasadën meksikane më 5 prill, me urdhër të presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa, për të arrestuar ish-presidentin ekuadorian, Jorge Glas, një kriminel i dënuar dhe i arratisur që kërkonte azil në Meksikë.
Përdorimi i pazakontë i forcës nxiti dënimin e menjëhershëm nga qeveritë në mbarë botën.
Noboa ka thënë se ai autorizoi bastisjen "për të mbrojtur sigurinë kombëtare".
Ekuadori argumentoi se Glas ishte në shënjestër për dënime penale dhe jo për arsye politike, dhe se për këtë arsye Meksika nuk duhet të kishte marrë në konsideratë azilin për të.
Meksika ka shprehur zemërimin e saj për bastisjen dhe ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Holandë, duke kërkuar që Kombet e Bashkuara të pezullojnë Ekuadorin derisa të kërkojë falje për shkeljen dhe të pajtohet me dëmshpërblimet.