5 euro hyrja

Venecia nis eksperimentin me tarifa hyrëse për vizitorët

Turizmi në Venecia

Turizmi në Venecia

Foto: Associated Press

Qyteti i Venecias ka nisur një program pilot të enjten për t'u ngarkuar vizitorëve ditorë një tarifë hyrjeje prej 5 eurosh, që autoritetet shpresojnë se do të dekurajojë vizitorët të mbërrijnë në ditët e pikut, dhe do ta bëjë qytetin më të jetueshme për banorët e saj tashmë në pakësim.

Shenjat që këshillojnë vizitorët që vijnë për pagesën, për një fazë testimi prej 29 ditësh deri në korrik, janë ngritur jashtë stacionit kryesor të trenit dhe pikave të tjera të mbërritjes, raporton AP.

Rreth 200 udhëzues janë trajnuar për të ndihmuar këdo që nuk është në dijeni të tarifës gjatë procesit të shkarkimit të një kodi QR. Është ngritur po ashtu një kioskë për ata që nuk janë të pajisur me telefona të mençur.

Pasi të kalojnë portet e hyrjes të përcaktuara, zyrtarët do të kryejnë kontrolle të rastësishme për kodet QR që tregojnë se taksa e udhëtimit ditor është paguar ose që bartësi është i përjashtuar. 

Shkelësit përballen me gjoba nga 50 deri në 300 euro. Kërkesa zbatohet vetëm për personat që vijnë nga ora 8:30 e mëngjesit deri në 4 pasdite. Jashtë këtyre orëve, qasja është falas. 

"Ne duhet të gjejmë një ekuilibër të ri midis turistëve dhe banorëve. Ne duhet të ruajmë hapësirat e banorëve, sigurisht, dhe duhet të dekurajojmë ardhjen e udhëtarëve ditorë në disa ditë të veçanta”, ka thënë zyrtari më i lartë i turizmit të qytetit, Simone Venturini.

Venecia ka vuajtur prej kohësh nga presioni i turizmit të tepërt, por zyrtarët thonë se vlerësimet para pandemisë që flasin për 25 milionë deri në 30 milionë vizitorë në vit – përfshirë udhëtarët ditorë, nuk janë të besueshme, dhe se projekti pilot synon gjithashtu të dalë me shifra më të sakta për të ndihmuar në menaxhimin më të mirë të fenomenit. 

Vizitorët e regjistruar që kaluan natën në Venice vitin e kaluar arritën në 4.6 milionë, sipas shifrave të qytetit, 16% më pak nga nivelet e larta para pandemisë. 

Venturini ka thënë se qyteti është i tensionuar kur numri i udhëtarëve ditor arrin 30,000 deri në 40,000, dhe rrugicat e ngushta të saj bllokohen me njerëz dhe taksitë, duke e bërë të vështirë për banorët të bëjnë biznesin e tyre.

Venecia është qyteti i parë i madh në botë që ka miratuar një skemë të tillë. 

Por disa komitete dhe shoqata të banorëve kanë planifikuar protesta për të enjten, me argumentin se tarifa nuk do të bëjë asgjë për të zgjidhur çështjen.