Një gjykatës i Nju Jorkut të premten vendosi të shtyjë dënimin për ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump në çështjen e tij penale të “parave të heshtjes”, deri pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Gjyqtari e ka arsyetuar vendimin duke thënë se dëshiron të shmangë perceptimin e një motivi politik prapa vendimit, raporton Reuters.
"Vendosja e dënimit do të shtyhet për të shmangur çdo paraqitje, sado të pajustifikuar, se procedura është ndikuar ose kërkon të ndikojë në zgjedhjet presidenciale që po afrohen, në të cilat i pandehuri është kandidat. Gjykata është një institucion i drejtë, i paanshëm dhe apolitik”, ka shkruar gjyqtari.
Trumpi, kandidati republikan për president, planifikohej të dënohej më 18 shtator. Avokatët e tij në gusht i kërkuan gjyqtarit Juan Merchan të shtynte datën e dënimit të tij deri pas zgjedhjeve.
Në gjyqin e parë penal të një ish-presidenti të SHBA-së, Trumpi u dënua më 30 maj për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, për të mbuluar pagesën prej 130,000 dollarësh të avokatit të tij të atëhershëm ndaj yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels për heshtjen e saj përpara zgjedhjeve të 2016-ës, pasi ajo pretendonte se ka pasur aferë seksuale me Trumpin një dekadë më parë.