Që në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë duke filluar nga imigracioni, klima e deri te faljet.
Republikani ka filluar të shfrytëzojë menjëherë kompetencat e reja për të nënshkruar urdhrat ekzekutivë e memorandumet presidenciale për plot prioritete politikash të qeverisjes së tij, shkruan "BBC".
Urdhrat ekzekutivë kanë peshën e ligjit, por mund të anulohen nga presidentët e ardhshëm ose gjykatat.
Disa prej atyre të miratuara nga Trumpi madje pritet të përballen me sfida ligjore.
Imigracioni
Emergjenca kombëtare në kufi
Emergjencë kombëtare është shpallur në kufirin jugor, si shkak i një direktive që Trumpi ka nënshkruar në Zyrën Ovale.
Ai ka synuar gjithashtu që t’i japë fund shtetësisë për fëmijët e imigrantëve ilegalë, të lindur në SHBA.
Trumpi ka nënshkruar gjithashtu urdhrin që pezullon programin amerikan të risistemimit të refugjatëve për katër muaj, megjithëse detajet mbeten ende të paqarta.
Shtetësia automatike
Vendimi që u mor të hënën (sipas kohës në SHBA), për t’ua mohuar të drejtën e shtetësisë fëmijëve të imigrantëve që qëndrojnë ilegalisht apo me viza të përkohshme në SHBA, ka qenë ndër më të diskutueshmit.
Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-së prej kohësh mbron këtë të drejtë, prandaj veprimi i Trumpit u kundërshtua menjëherë në Gjykatën Federale.
Mbyllja e kufirit
Trumpi ka urdhëruar ushtrinë që t’i “mbyllë kufijtë”, tek ka përmendur transportin e drogave të paligjshme, kontrabandën e qenieve njerëzore si dhe krime të tjera që ndërlidhen me kalimin ilegal të kufijve.
Shpallja e bandave dhe karteleve të drogës si “organizata terroriste”
Presidenti përmes një urdhri tjetër i ka shpallur kartelet e drogës dhe bandat ndërkombëtare si organizata të huaja terroriste. Banda e imigrantëve të Salvadorit “MS-13” dhe banda venezuelase “Tren de Aragua” do t’i shtohen listës që përfshin al-Qaedan, të ashtuquajturin Shteti Islamik dhe Hamasin.
Rifillimi i ndërtimit të mureve mbrojtëse
Si pjesë e direktivës së tij për emergjencë kombëtare në kufirin jugor, Trumpi ka udhëzuar shefat e agjencive që t’i rinisin përpjekjet për të “ndërtuar barriera fizike shtesë përgjatë kufirit jugor”. Direktiva nuk është urdhër ekzekutiv dhe mbetet e paqartë se si mund të financohet përpjekja, gjë që ishte edhe pengesa kryesore për Trumpin gjatë mandatit të parë.
Kur Trumpi u zgjodh për herë të parë president në vitin 2016, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ndërtimin e një muri kufitar. Edhe pse disa pjesë të barrierës u ndërtuan, pjesa më e madhe mbeti e papërfunduar.
“Qëndroni në Meksikë”
Trumpi ka nënshkruar edhe rizbatimin e një urdhri, politika e njohur si “Qëndroni në Meksikë”. Kjo masë e përdorur edhe në mandatin e parë, ktheu përtej kufirit rreth 70 mijë azilkërkues jomeksikanë të cilët ishin në pritje të seancave dëgjimore.
Politika e imigracionit
Përmes të njëjtit urdhër, Trumpi ka mbyllur po ashtu një qendër të madhe imigracioni të epokës së Bidenit, iniciativë kjo që lejoi dhe ndihmoi rreth 30 mijë imigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela të udhëtonin për në SHBA.
Kjo politikë, e njohur si CHNV, ishte krijuar për të zvogëluar numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit, sipas administratës Biden.
Dënimi me vdekje
Është rikthyer edhe dënimi me vdekje. Në urdhër detajohet se për kë dhe çfarë arsye duhet të përdoret dënimi dhe përfshin çdo “krim të shkallës së parë të kryer nga një i huaj i pranishëm në mënyrë ilegale në këtë vend” dhe këdo që akuzohet për vrasjen e një zyrtari të zbatimit të ligjit.
Deportimet
Trumpi ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv që i jep fund politikës që lejon imigrantët të qëndrojnë në SHBA ndërkohë që presin mbajtjen e seancave ligjore mbi marrjen e nënshtetësisë amerikane.
Ai pati premtuar se do të “fillojë programin më të madh të dëbimit në historinë amerikane”.
Premtimet e tij për imigracionin mund të përballen me sfida ligjore dhe logjistike.
TikTok
Përmes një direktive, presidenti amerikan ka shtyrë edhe zbatimin e ligjit që ndalon përdorimin e platformës së mediave sociale TikTok, për 75 ditë.
Reforma e Qeverisë
Doge dhe Elon Musk
Trumpi ka nënshkruar një direktivë për krijimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (Doge) - organ i ri këshillues që synon t’i ulë kostot e qeverisë. Pritet të drejtohet nga Elon Musk.
Ngrirja e punësimeve federale
Janë ndaluar punësimet e reja federale - përveç brenda ushtrisë amerikane dhe disa kategorive të tjera - derisa administrata Trump ta ketë kontrollin e plotë mbi Qeverinë.
Kthimi në zyrë i punonjësve federalë
Punëtorët federalë janë urdhëruar të punojnë në zyrë dhe nuk lejohen të punojnë nga shtëpia.
Ndjekjet politike
Presidenti i ri i SHBA-së ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që kërkon t’i japë fund “armatosjes së qeverisë kundër kundërshtarëve politikë”. Urdhri mandaton një rishqyrtim të punës së agjencive të ndryshme të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës nën administratën e Bidenit për të “identifikuar çdo rast” të armatimit dhe më pas rekomandon “veprimet e duhura korrigjuese” kundër këtyre agjencive.
Organizata Botërore e Shëndetësisë
Trumpi nënshkroi urdhrin ekzekutiv që shënon fillimin e procesit të tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Presidenti Trump kishte kritikuar mënyrën se si institucioni me bazë në Gjenevë e trajtoi Covid-19 dhe filloi procesin e tërheqjes prej tij gjatë pandemisë. Ish-presidenti Joe Biden e anuloi më vonë atë vendim.
Përmbysja e politikave të Bidenit
Rregulloret e kohës së Bidenit
Një nga direktivat e para që Trumpi i nënshkroi si pjesë e mandatit të dytë ishte një dokument që shfuqizoi gati 80 rregullore të epokës së Bidenit.
Ngrirja e rregulloreve
Direktiva që ndalon agjencitë federale nga nxjerrja e ndonjë rregulloreje të re derisa administrata e Trumpit të ketë kontrollin e plotë të Qeverisë është nënshkruar po ashtu.
Diversiteti dhe gjinia
Personat transgjinorë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njohin vetëm “dy gjini, mashkull dhe femër”, sipas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi.
Në të njëjtin urdhër ekzekutiv, Trumpi i ka dhënë fund të gjitha programeve, politikave, deklaratave dhe komunikimeve të Qeverisë që promovojnë ose mbështesin “ideologjinë gjinore”.
Riemërtimi i Gjirit të Meksikës
“Gjiri i Amerikës”
Presidenti amerikan ka udhëzuar sekretarin e brendshëm të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”.
Mali Denali i Alaskës
I njëjti urdhër gjithashtu udhëzon sekretarin e brendshëm që të riemërtojë malin Denali të Alaskës në malin McKinley - për nder të presidentit të 25-të të Amerikës. Ish-presidenti Barack Obama ndryshoi emrin nga McKinley në Denali për të pasqyruar fiset vendase. Është maja më e lartë malore në Amerikën e Veriut.
Ekonomia
Trajtimi i inflacionit
Përmes një direktive të nënshkruar nga Trumpi, çdo departamenti dhe agjencie federale të SHBA-së i është kërkuar që të adresojë koston e jetesës për amerikanët. Agjencitë duhet të rishikojnë kostot e banimit, kujdesit shëndetësor dhe gjërave kryesore shtëpiake, sendeve ushqimore dhe karburantit.
Klima dhe energjia
Tërheqja nga Marrëveshja e Parisit
Në grupin e parë të direktivave të nënshkruara nga Trumpi, përfshihet edhe tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për klimën - marrëveshja historike ndërkombëtare që synon kufizimin e rritjes së temperaturave globale.
Ishte ndër dokumentet e para që presidenti nënshkroi pas inaugurimit të tij.
Trumpi u tërhoq për herë të parë nga marrëveshja e Parisit në vitin 2017, përpara se Bideni të rifuste SHBA-në në të në 2021-ën.
Së bashku me nënshkrimin për daljen nga marrëveshja, Trumpi nënshkroi gjithashtu një letër që do t’i dërgohet Kombeve të Bashkuara e që shpjegon tërheqjen.
Emergjenca kombëtare e energjisë
Trumpi shpalli emergjencë kombëtare të energjisë, duke premtuar të mbushë rezervat strategjike të naftës.
Fundi i Marrëveshjes së Re të Gjelbër
Si pjesë e urdhrit ekzekutiv për energjinë, Trumpi ndaloi edhe të ashtuquajturën Marrëveshje të Re të Gjelbër, që përfshinte një seri masash të administratës së Bidenit e që synonin shtimin e numrit të vendeve të gjelbra, rregullimin e industrisë së karburanteve fosile dhe kufizimin e ndotjes.
Trazirat e Capitolit
Falja e afro 1600 personave që sulmuan Capitolin
Presidenti i ri amerikan njoftoi se do t’i falte gati 1.600 mbështetës të tij, të cilët u arrestuan në trazirat në Capitolin e SHBA-së në vitin 2021.
Ajo që Trump ende s’e ka ndërmarrë
Tarifat
Pasi u përgatit për javë të tëra për një luftë tregtare me SHBA-në, Kanadaja, tani për tani, i është shmangur tarifave që Donald Trumpi kishte kërcënuar t’i vendoste vendit sapo të marrë detyrën.
Trumpi ka paralajmëruar të hënën se tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës mund të vendosen më 1 shkurt dhe urdhëroi zyrtarët federalë që të rishqyrtojnë marrëdhëniet e vendosura tregtare të SHBA-së me Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.
Presidenti ka premtuar vendosje të tarifave të importit prej 25 për qind për Kanadanë dhe Meksikën, si dhe 10% për importet globale dhe 60% për mallrat kineze.
Dokumentet sekrete
Në një tubim të dielën, Trumpi tha se do të publikonte një mori dokumentesh të klasifikuara në lidhje me vrasjen e presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, subjekt i teorive të panumërta konspirative, si dhe për vrasjet e vitit 1968 të senatorit Robert Kennedy dhe liderit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr.