Ministrat e jashtëm nga vendet myslimane kanë hedhur poshtë thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zbrazur Rripin e Gazës nga popullsia e saj palestineze, ndërsa kanë mbështetur planin për një komitet administrativ të palestinezëve për të qeverisur territorin.
Ministrat u mblodhën në Jeddah në një seancë të veçantë të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për të trajtuar çështjen e Gazës, raportoi AP.
Ata theksuan mbështetjen për planin për rindërtimin e Gazës të propozuar nga Egjipti dhe mbështetur nga shtetet arabe. Organizata ka 57 vende me popullsi myslimane.
Ministrat theksuan se refuzojnë planet që kanë qëllim zhvendosjen e palestinezëve dhe e shohin këtë si “spastrim etnik dhe shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”.