Botë

Vëllezërit Tate mbërrijnë në SHBA, thonë se janë keqkuptuar

Andrew Tate

Figurat kontroverse të internetit, Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan kanë arritur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi prokurorët rumunë i lejuan të largohen.

Vëllezërit ishin arrestuar në Rumani tri vjet më parë dhe janë përballur me akuzat për përdhunim, trafikimin e të miturave dhe pastrim parash, të cilat akuza i kanë refuzuar të gjitha.

Pas zbritjes në aeroport, Andrew Tate ka deklaruar për gazetarët se ai dhe vëllai i tij janë të pafajshëm derisa të dëshmohen si fajtorë, duke shtuar se duhet të ndalojnë gënjeshtrat që synojnë të shkatërrojnë reputacionin e njerëzve të mirë. Ai ka thënë se “janë keqkuptuar” e se akuzat ndaj tyre janë bazuar në “teori konspirative”.

Prokurorët rumunë kanë deklaruar se çështja nuk është mbyllur dhe se ata priten të kthehen në Rumani, në fund të muajit të ardhshëm.

Kryeministri i Rumanisë, Ion-Marcel Ciolacu, më herët ka mohuar se ka presion nga qeveria e SHBA-së për t’i lejuar vëllezërit që kanë nënshtetësi të SHBA-së dhe Britanisë që të udhëtojnë.