Politikani francez i qendrës ekstreme të djathtë, Jean Marie Le Pen, ka vdekur të martën në moshën 96-vjeçare. BBC-ja ka raportuar se ai ishte nën përkujdesje mjekësore në javët e fundit.
Le Pen, mohues i Holokaustit dhe ekstremist në çështjet e racave, gjinive dhe emigracionit, ka themeluar partinë e ekstremit të djathtë francez, Fronti Kombëtar, në 1972-n.
Ai kishte arritur në balotazh në zgjedhjet presidenciale të 2002-s kundër Jacques Chirac.
Ai është babai i politikanes franceze, Marine Le Pen, që mori drejtimin e partisë në 2011-n.
Jean-Marie Le Pen më 1999: Kosova, pjesë e territorit serb
Në një intervistë për “Le Parisien” më 6 prill 1999, Le Pen, kishte kritikuar bombardimet e NATO-s dhe madje kishte thënë se Kosova ka qenë pjesë e territorit serb.
“Jam kundër agresionit ushtarak të NATO-s kundër një shteti të pavarur, të vogël dhe të varfër. Është sikur një grup atletësh paksa ‘të dehur’ të largohen nga restoranti duke shkelmuar një të gjymtuar”, pati deklaruar ai, sipas shkrimit që u gjet në “vie-publique.fr”, që është uebfaqe franceze e që menaxhohet nga një autoritet nën zyrën e kryeministrit francez, me mision për informimin, dokumentimin dhe arkivimin e vendimeve dhe intervistave të zyrtarëve francezë.
Ai pati refuzuar ta quante Sllobodan Millosheviqin diktator.
“Millosheviqi thjesht ka aftësinë ta mbulojë veten me nacionalizëm, që në Jugosllavi është i fuqishëm dhe i kapërcen partitë. Ju pëlqen apo jo, por Kosova është pjesë integrale e territorit serb. Unë isha për kroatët dhe kundër Millosheviqit. Sot, jam për Serbinë nacionaliste, kundër diktaturës që amerikanët ia imponojnë pa mëdyshje gjithë botës. ‘Numri i refugjatëve, viktimat e politikës së Beogradit, po vazhdon të rritet...’ Është thënë se fati i refugjatëve nga Kosova do të ishte katastrofa humanitare e shekullit. Por unë dua të theksoj se ka pasur shumë eksode të tjera, përfshirë ato që janë shumë afër nesh (Algjerisë)”, qe shprehur ai.
Jean-Marie Le Pen është babai i lideres së Frontit Kombëtar Marine Le Pen.
Ai u përjashtua nga vajza e tij për shkak të deklaratave ekstremiste mbi Luftën e Dytë Botërore, Holokaustin, gjinitë, torturat dhe imigrantët.