Botë

Vdiq ish-kryeministri indian, Manmohan Singh

Ish-kryeministri indian, Manmohan Singh

Foto: Associated Press

Ish-kryeministri indian, Manmohan Singh ka vdekur në moshën 92-vjeçare, raportoi të enjten BBC-ja.

Singh ishte një nga kryeministrat më jetëgjatë të Indisë dhe u konsiderua arkitekti i reformave kryesore liberalizuese ekonomike, si kryeministër nga 2004-2014 dhe më parë si ministër i Financave.

Siç raportohet, së fundmi ai qe shtruar në një spital në kryeqytetin Delhi pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Kryeministri aktual Narendra Modi ka thënë se Singhi ka bërë përpjekje të gjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve gjatë kohës së tij si kryeministër.

Singh ishte lideri i parë indian që nga Jaëaharlal Nehru që u rizgjodh pasi shërbeu një mandat të parë të plotë. Ai kërkoi falje publike në parlament për trazirat e vitit 1984 në të cilat u vranë rreth 3,000 persona të fesë Sikh.

Mandati i tij i dytë në detyrë u dëmtua nga një sërë akuzash për korrupsion. Skandalet kanë qenë përgjegjëse për humbjen dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014.
Singh lindi më 26 shtator 1932, në një fshat në provincën Punjab të Indisë.

Triumfi më i madh gjatë mandatit të tij të parë pesëvjeçar ishte nxjerrja e Indisë nga izolimi bërthamor duke nënshkruar një marrëveshje historike që siguroi qasje në teknologjinë bërthamore amerikane.