E përditësuar (11:19) - Ka vdekur i dyshuari për sulm me armë zjarri në Munih të enjten në mëngjes, ka bërë të ditur ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
I dyshuari ishte qëlluar nga policia pas incidentit, i cili ka ndodhur pranë qendrës së dokumentacionit nazist të qytetit, e cila ndodhet afër konsullatës së përgjithshme izraelite.
Faeser ka deklaruar se kishte ndodhur një “incident i rëndë” në Munih dhe se mbrojtja e institucioneve izraelite është prioriteti më i lartë.
Policia e Munihut qëllon një të dyshuar për sulm me armë në qendrën naziste të dokumentacionit
Një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në Munih të Gjermanisë mëngjesin e së enjtes, në përgjigje të një incidenti pranë qendrës së dokumentacionit nazist të qytetit.
“Süddeutsche Zeitung” ka raportuar më herët të enjten se një i dyshuar ka gjuajtur me armë zjarri në qendrën e dokumentacionit nazist në Munih.
Policia e Munihut nuk ka dhënë detaje të ngjarjes, duke shkruar në rrjetet sociale se policia ka qëlluar një person të dyshimtë.
Qendra ndodhet pranë konsullatës së përgjithshme izraelite.
Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, dëgjohen të shtëna të shumta.
Aktualisht nuk ka të dhëna për ndonjë të dyshuar tjetër në lidhje me operacionin, tha policia, duke shtuar se forca të mëdha ndodhen në vendngjarje.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka bërë të ditur se konsullata në Munih është mbyllur kur ndodhën të shtënat dhe se asnjë personel i konsullatës nuk është prekur nga incidenti.