Botë

Vdiq gazetari amerikan që u mbajt peng në Liban për gati 7 vjet

Terry Anderson

Terry Anderson,  gazetar amerikan i mbajtur peng për gati shtatë vjet gjatë luftës civile në Liban, ka vdekur në moshën 76-vjeçare.

Anderson ishte korrespondenti kryesor i Lindjes së Mesme për “Associated Press” (AP) kur u kap nga militantët islamikë në vitin 1985 gjatë asaj që u bë e njohur si kriza e pengjeve në Liban.

Ai vdiq në shtëpinë e tij në Greenwood Lake, New York, pas komplikimeve nga operacioni në zemër, tha vajza e tij, raporton BBC.

Sulome Anderson  ka treguar se kishte gjetur paqe vitet e fundit pas sprovës.

“Asnjëherë nuk i pëlqente të quhej hero, por të gjithë këmbëngulën ta quanin ashtu”,  ka theksuar ajo.

“Megjithëse jeta e babait tim u karakterizua nga vuajtje ekstreme gjatë kohës së tij si peng në robëri, ai gjeti  paqe vitet e fundit.

“Unë e di se ai do të zgjedhë të mbahet mend jo nga përvoja e tij më e keqe, por përmes punës së tij humanitare me Fondin e Fëmijëve të Vietnamit, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, veteranët e pastrehë dhe shumë kauza të tjera”.

Louis Boccardi, i cili drejtoi AP-në  gjatë robërisë së Andersonit, gjithashtu e kujtoi atë si një “hero”.

Anderson, i cili kishte parë luftime gjatë shërbimit të tij në marinsat amerikane gjatë Luftës së Vietnamit, u rrëmbye në Bejrut më 16 mars 1985.

Ai sapo kishte mbaruar së luajturi një lojë tenis gjatë një dite pushimi, kur persona të armatosur e tërhoqën zvarrë në një makinë dhe u larguan me shpejtësi.

Motra e tij Peggy Say, e cila vdiq në vitin 2015, kishte luftuar për lirmin e vëllait të saj dhe shokëve të tij të mbajtur robër.

Shumica e më shumë se 100 të mbajturve midis  viteve 1982 dhe 1992 ishin nga SHBA-ja dhe Evropa Perëndimore, duke përfshirë të dërguarin e Kishës së Anglisë, Terry Waite. Waite u lirua në vitin 1991 pas 1763 ditësh.

Anderson takoi vajzën e tij, e cila lindi menjëherë pas rrëmbimit të tij, për herë të parë kur ajo ishte gjashtë vjeç.

Pas lirimit të tij, Anderson dha lëndën gazetari në kolegje të ndryshme amerikane, përfshirë Universitetin Columbia në New York, përpara se të tërhiqej në vitin 2015.

Anderson gjithashtu luftoi me çrregullimin e stresit post-traumatik, raportoi AP, dhe përmes investimeve të tij të dobëta, humbi miliona dollarë që kishte fituar në asetet e ngrira iraniane si rezultat i sprovës së tij.

Ai shkroi gjithashtu një autobiografi më të shitur, “Den of Lions”, duke detajuar kohën e tij në robëri.