Gaza

Vdiq foshnja që u nxor e gjallë nga barku i nënës së vdekur

Foshnja Sabreen në spital

Foshnja Sabreen në spital

Foto: Associated Press

Ka vdekur foshnja që ishte shpëtuar nga barku i nënës së vdekur si pasojë e një sulmi izraelit në jug të Gazës, ka mësuar BBC.

Foshnja me emrin Sabreen al-Sakani është nxjerrë me prerje cezariane nga barku i nënës në spitalin e Rafahut, pak pas mesnate të dielën.

Në mes të skenave kaotike, mjekët e kanë shpëtuar foshnjën, duke përdorur një pompë dore për të futur ajër në mushkëritë e saj.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ajo ka vdekur të enjten dhe është varrosur pranë nënës së saj, sipas së cilës edhe ishte emëruar.

Foshnja Sabren është në mesin e 16 fëmijëve të vrarë nga dy sulme në Rafah javën e kaluar. Të gjithë këta fëmijë janë vrarë nga bombardimi që kishte cak një kompleks ku ata jetonin.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) kanë thënë se kishin targetuar figura dhe infrastrukturë të Hamasit.

Nëna e foshnjës Sabreen ishte shtatë muajsh e gjysmë shtatzënë kur Izraeli sulmoi me raketë shtëpinë e tyre në al-Sakani, pak para mesnate të së shtunës. Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur ajo, bashkëshorti i saj Shukri dhe vajza e tyre tre-vjeçare Malak, e cila ishte në gjumë.

Foshnja Sabreen ishte ende e gjallë në barkun e nënës edhe pas vdekjes së saj.