Botë

Vdesin 14 jordanezë gjatë pelegrinazhit të haxhit

Pelegrinazhi ne haxh

Foto: Associated Press

Katërmbëdhjetë jordanezë janë raportuar të vdekur gjatë pelegrinazhit vjetor të haxhit mysliman në Arabinë Saudite, disa prej tyre për shkak të nxehtësisë.

Janë raportuar të zhdukur edhe 17 të tjerë, ka bërë të ditur ministria e Jashtme jordaneze në një deklaratë të dielën.

Të paktën gjashtë nga viktimat ishin të lidhura me nxehtësinë, bëri të ditur ministria të shtunën, me temperaturat që parashikohen të arrijnë 47 gradë celsius në Mekë të hënën, raporton Reuters.

Ajo nuk specifikoi të dielën nëse numri më i lartë i vdekjeve ishte gjithashtu për shkak të të nxehtit.

Haxhi, i cili do të përfundojë të mërkurën, është një nga tubimet masive më të mëdha në botë, me më shumë se 1.8 milionë pelegrinë që pritet të marrin pjesë këtë vit, sipas Autoritetit të Përgjithshëm saudit për Statistikat.

Rrëmuja, zjarret në tenda, nxehtësia dhe faktorë të tjerë kanë shkaktuar qindra vdekje në këtë ngjarje gjatë 30 viteve të fundit.

Ministria saudite e Shëndetësisë lëshoi një këshillë të enjten duke paralajmëruar për temperaturat në rritje dhe duke i këshilluar pelegrinët që të qëndrojnë të hidratuar dhe të shmangin qëndrimin jashtë gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Në vitin 2015, një përplasje vdekjeprurëse në haxhin pranë Mekës la të vdekur të paktën 2,070 njerëz, sipas një raporti të Reuters në atë kohë.

LEXO EDHE: