Botë

Vdes polici gjerman derisa po përcillte autokolonën e kryeministrit hungarez në Shtutgart

Ilustrim

Një polic gjerman ka mbetur i vdekur të hënën pasi një veturë u përplas me motorin që ai po voziste, derisa ishte në përcjellje të eskortës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin gjerman të Shtutgartit, derisa një polic tjetër ka mbetur i lënduar rëndë, ka bërë të ditur policia, raporton AP.

Aksidenti ndodhi teksa Orban ishte rrugës për në aeroportin e Shtutgartit pasi kishte ndjekur një ndeshje të Kampionatit Evropian të ekipit kombëtar të futbollit të vendit të tij.

Një skuadër motoçikletash e policisë rrugore të Shtutgartit po shoqëronte udhëheqësin hungarez kur një veturë u përplas me një polic me motor. Ai polic u përplas më pas me një tjetër që kishte bllokuar një kryqëzim, dhe për pasojë ka vdekur polici i parë dhe ka mbetur rëndë i lënduar i dyti.

Policia e Shtutgartit ka bërë të ditur se shoferi i veturës u përplas me motoçikletën ndërsa përpiqej të bënte një kthesë majtas, pasi me sa duket nuk kishte arritur të shihte se një kryqëzim ishte i mbyllur për trafikun.