Sulmet vdekjeprurëse variojnë nga helmimet prej çajit me polonium ose substancat nervore vdekjeprurëse deri tek ato më të zakonshmet për t’u qëlluar me armë nga një distancë e afërt. Disa madje kanë rënë nga dritarja “aksidentalisht”
Gjatë viteve kritikët politikë të Kremlinit, gazetarët hetues dhe të tjerë janë vrarë ose sulmuar në mënyra të ndryshme.
Të premten autoritetet ruse njoftuan se sfiduesi kryesor politik i presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny, ka vdekur në një koloni burgu në Arktik. Detajet se si vdiq nuk dihen. Ekipi i Navalnyt ka thënë se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen e tij, ndërsa autoritetet ruse kanë thënë se po përcaktojnë arsyet pse ai vdiq. Shtetet perëndimore kanë akuzuar më parë Rusinë për përpjekje për ta helmuar Navalnyn me substancë nervore në vitin 2020.
Përpjekjet për t’i vrarë armiqtë e presidentit rus Putin kanë qenë të zakonshme gjatë krejt çerekshekullit të tij në pushtet. Të afërmit e viktimave apo ata pak që kanë mbijetuar kanë fajësuar autoritetet ruse. Kremlini e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen.
Ka pasur raportime se edhe drejtues të njohur rusë kanë vdekur në rrethana misterioze, duke përfshirë rënien nga dritarja, megjithëse ndonjëherë është e vështirë të përcaktohet nëse ato ishin vrasje të qëllimshme apo vetëvrasje.
Kundërshtarët politikë
Në gusht të vitit 2020, Navalny u sëmur gjatë fluturimit nga Siberia në Moskë. Aeroplani u ul në qytetin e Omskut, ku Navalny u shtrua në spital në gjendje kome. Dy ditë më vonë ai u transportua në Berlin, aty ku u shërua.
Shtetet perëndimore patën thënë se Navalny ishte helmuar, por kjo qe mohuar nga zyrtarët rusë. Laboratorët në Gjermani, Francë dhe Suedi konfirmuan se Navalny ishte helmuar nga një agjent nervor i epokës sovjetike i njohur si “Novichok”. Navalny kishte thënë se substanca nervore i ishte vendosur në të brendshmet e tij.
Navalny më pas u kthye në Rusia. U dënua me 19 vjet burgim gushtin e vitit të kaluar për ekstremizëm. Ishte dënimi i tij i tretë me burg në dy vjet. Ka thënë se akuzat ishin të motivuara politikisht.
Të premten, Shërbimi Federal i Ndëshkimit të Rusisë ka thënë se Navalny nuk u ndie mirë pas një shëtitje në burg dhe humbi vetëdijen. U bënë përpjekje për ta shpëtuar, por nuk u arrit. Shkaqet e vdekjes kanë mbetur ende të papërcaktuara.
Në vitin 2018, Pyotr Verzilov, themelues i grupit protestues “Pussy Riot”, u sëmur rëndë. Ai u dërgua në Berlin, ku mjekët patën thënë se ishte helmuar. Edhe Verzilov qe shëruar. Më parë atë vit, Verzilov e turpëroi Kremlinin duke vrapuar në fushë gjatë finales së Kupës së Botës bashkë me tre aktivistë të tjerë, si shenjë proteste kundër brutalitetit të policisë nëpër protesta. Për këtë arsye besohet se ai u tentua të helmohej dhe të vritej.
Një tjetër figurë e shquar opozitare ruse, Vladimir Kara-Murza, u mbijetoi atyre që beson se ishin tentativa për ta helmuar në vitet 2015 dhe 2017. Ai pothuajse vdiq nga problemi me veshkat më 2015 dhe ka thënë se dyshon se është helmuar, por kjo nuk u përcaktua asnjëherë. Ai u shtrua në spital me problem të ngjashëm edhe në vitin 2017 dhe u fut në koma nga vetë mjekët. Gruaja e Kara-Murzas pati thënë se mjekët ia kanë konfirmuar se ishte helmuar. Kara-Murza mbijetoi, ndërsa avokati i tij ka thënë se policia ruse ka refuzuar të hetojë. Vitin e kaluar, ai u dënua për tradhti dhe u dënua me 25 vjet burgim. Në janar u transferua në një burg në Siberi dhe u vendos në izolim për një shkelje të vogël.
Vrasja e një profili të lartë të një kundërshtari politik ishte ajo e Boris Nemtsovit. Dikur zëvendëskryeministër nën udhëheqjen e Boris Yeltsinit, Nemtsov ishte politikan i famshëm dhe kritik i ashpër i Putinit. Në një natë të muajit shkurt në vitin 2015, ai u qëllua për vdekje teksa po ecte në një urë ngjitur me ndërtesat e Kremlinit. Vdekja e tij tronditi Rusinë. Pesë burra nga rajoni rus i Çeçenisë u dënuan për vrasjen e Nemtsovit. Dorasi u dënua me 20 vjet burgim. Por të afërmit e Nemtsovit kanë thënë se kjo është bërë për të hequr fajin nga qeveria ruse.
Ish-zyrtarët e inteligjencës
Në vitin 2006, dezertori rus Alexander Litvinenko, ish-agjent i KGB-së dhe agjencisë pasardhëse post-sovjetike, FSB, u sëmur rëndë në Londër pasi kishte pirë çaj të mbushur me polonium radioaktiv-210. Vdiq tre javë më vonë.
Litvinenko kishte hetuar vrasjen e gazetares ruse Anna Politkovskaya si dhe lidhjet e shërbimit të inteligjencës ruse me krimin e organizuar. Para se të vdiste, Litvinenko pati thënë se FSB-ja ende po operonte me laborator helmesh që datojnë nga epoka sovjetike.
Hetimi i Britanisë së Madhe kishte zbuluar se Litvinenko ishte vrarë nga agjentë rusë, ndoshta me miratimin e Putinit, por Kremlini si çdo herë mohoi përfshirjen.
Një tjetër ish-oficer i inteligjencës ruse, Sergei Skripal, u helmua në Britani në vitin 2018. Ai dhe vajza e tij Yulia u sëmurën teksa po qëndronin në qytetin Salisburyt. Kaluan javë të tëra në gjendje kritike. Ata mbijetuan, por sulmi i mori jetën një gruaje britanike, ndërsa një burrë dhe një oficer policie mbetën të sëmurë rëndë.
Autoritetet britanike konfirmuan se Skripal dhe Yulia u helmuan me agjentin nervor “Novichok”. Britania fajësoi inteligjencën ruse, por Moska mohoi përsëri përfshirjen. Putini e quajti Skripalin “agjent të dyfishtë për Britaninë” dhe “plak pa interes për Kremlinin”.
Gazetarët
Shumë gazetarë kritikë ndaj autoriteteve në Rusi janë vrarë ose kanë pësuar vdekje misterioze. Të afërmit e tyre në disa raste fajësojnë hierarkinë politike. Në raste të tjera, ngurrimi i autoriteteve për të hetuar vdekjet ngre dyshime.
Anna Politkovskaya, gazetarja e “Novaya Gazeta”, vdekjen e së cilës po e hetonte Litvinenko, u qëllua dhe u vra në ashensorin e banesës së saj në Moskë më 7 tetor 2006 - ditëlindja e Putinit. Ajo kishte fituar çmim ndërkombëtar për raportimet mbi abuzimin e të drejtave të njeriut në Çeçeni. Një burrë nga Çeçenia u dënua me 20 vjet burgim. Katër çeçenë të tjerë morën dënime me burgim të shkurtër për përfshirje në vrasje.
Yuri Shchekochikhin, tjetër gazetar i “Novaya Gazetas”, vdiq nga një sëmundje e papritur në vitin 2003. Shchekochikhin po hetonte marrëveshjet korruptive në biznese dhe rolin e mundshëm të shërbimeve ruse të sigurisë në bombardimet e një shtëpie të vitit 1999 për të cilat fajësoheshin kryengritësit çeçenë. Kolegët e tij këmbëngulën se ishte helmuar dhe akuzuan autoritetet për pengim të qëllimshëm të hetimit.
Prigozhini dhe zëvendësit e tij
Një aksident aeroplani gushtin e vitit të kaluar la të vdekur Yevgeny Prigozhinin dhe zëvendësit kryesorë të kompanisë ushtarake private “Wagner”. Aksidenti ndodhi dy muaj pasi Prigozhini nisi rebelim të armatosur në Rusi të cilën Putini e etiketoi si “thikë pas shpine” dhe “tradhti”. Ndonëse nuk ishte kritik ndaj Putinit, Prigozhini sulmoi udhëheqjen ushtarake ruse dhe vuri në dyshim motivet për luftën në Ukrainë.
Inteligjenca amerikane pati zbuluar se përplasja e aeroplanit që la 10 persona të vdekur ishte shkaktuar qëllimisht nga një shpërthim. Njëri nga zyrtarët amerikanë, në kushte anonimiteti, kishte thënë se shpërthimi ishte i ngjashëm me “historinë e gjatë të Putinit në përpjekje për t’ua mbyllur gojën kritikëve të tij”.
Kremlini sërish mohoi përfshirjen.
Përgatiti: Blenard Bugari