Teksa e ka portretizuar si operacion puro komercial dhe privat, Kremlini e ka përdorur “Wagnerin” për të shtrirë ndikimin rus në kontinentin në të cilin po i ngrihej konkurrenca me fuqitë perëndimore si Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Vdekja e mundshme e kryemercenarit Yevgeny Prigozhin gjatë rrëzimit të aeroplanit e fuqizon presidentin rus, Vladimir Putin, në aspektin afatshkurtër, pasi heq figurën që kundërshtoi autoritetin e tij dhe e bëri të dukej i dobët.
Mirëpo kjo ia ka hequr nga lista një lojtar të fortë, i cili e tregoi dobinë e tij për Kremlinin duke dërguar luftëtarët e tij në një nga betejat më të përgjakshme të luftës në Ukrainë dhe avancoi interesat ruse në krejt Afrikën.
Autoriteti ajror i Rusisë ka deklaruar se Prigozhini, dora e tij e djathtë, Dmitry Utkin, dhe tetë persona të tjerë ishin në aeroplanin që u rrëzua në veri të Moskës të mërkurën në mbrëmje. Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes nuk kanë konfirmuar vdekjen e Prigozhinit. Deri të enjten nuk është bërë e qartë arsyeja e rënies së aeroplanit.
Nuk janë gjetur prova që mbështesin besimin se Prigozhini është vrarë në shenjë hakmarrjeje për kryengritjen e mercenarëve në fundqershor – supozim që shumë analistë thonë se i përshtatet qëllimit të Putinit
“Cilado qofshin arsyet e rrëzimit të aeroplanit, të gjithë e shohin si akt hakmarrës dhe të përsëritur dhe se Kremlini nuk do të ndërhyjë në këtë”, thotë Tatiana Stanovaya, themeluese e grupit konsultues R.Politik. “Nga pikëpamja e Putinit dhe forcave të sigurisë e ushtrisë, vdekja e Prigozhinit duhet të jetë mësim për çdo ndjekës të tij”, shton ajo.
Putini të enjten ka thyer heshtjen në lidhje me vdekjen e Prigozhinit. Ka thënë se kryemercenari ka bërë gabime serioze në jetën e tij.
“Prigozhinin e kam njohur për kohë të gjatë, që prej fillimit të viteve ‘90”, ka thënë Putini në adresimin televiziv.
“Mirëpo ishte person me fat të komplikuar dhe ka bërë gabime serioze në jetën e tij, por gjithashtu ka kërkuar të arrijë rezultate të nevojshme – si për vete ashtu edhe kur ia kam kërkuar, për kauzën e përbashkët, të cilat i kemi pasur në muajt e fundit”, ka thënë Putini.
Putini ka thënë se hetuesit janë duke analizuar se çfarë ka ndodhur me aeroplanin e Prigozhinit, por ka shtuar se hetimet do të marrin kohë.
Supozimi i gabuar
Rrëzimi i aeroplanit ka ndodhur dy muaj pasi Prigozhini dhe mercenarët e tij organizuan kryengritjen me të cilën morën kontrollin e qytetit jugor në Rusi dhe avancuan drejt Moskës, duke rrëzuar disa aeroplanë të forcave ajrore të Rusisë.
Putini, i cili në të kaluarën ka folur për urrejtjen që kishte ndaj tradhtarëve, në muajin qershor e kishte cilësuar kryengritjen si thikë pas shpine”.
Që prej kryengritjes, Prigozhini ka ndalur përplasjen me udhëheqësit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kishte vazhduar operacionet e tij. Lëvizte lirshëm brenda dhe jashtë Rusisë ani pse kishte arritur marrëveshje me Kremlinin për t’u larguar në Bjellorusi.
Abbas Gallyamov, ish-fjalimshkrues i Kremlinit tani i cilësuar si “agjent i huaj” nga Rusia, ka thënë se Prigozhini ka menduar gabimisht se ishte i domosdoshëm për Putinin për shkak të rëndësisë së aktiviteteve të tij.
Këtu përfshihen operacionet në Afrikë, pasi “Wagneri” kishte zgjeruar shërbimet mercenare në shtetet si Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore – në këmbim të arit dhe diamanteve.
Teksa e ka portretizuar si operacion puro komercial dhe privat, Kremlini e ka përdorur “Wagnerin” për të shtrirë ndikimin rus në kontinentin në të cilin po i ngrihej konkurrenca me fuqitë perëndimore si Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prigozhini “kishte supozuar se Putini nuk do t’i rrezikonte krejt këto”, thotë Gallyamov. “Ai e nënvlerësoi se sa e rëndësishme ishte për Putinin që të dërgonte sinjal për rebelët e mundshëm: ‘djem mos e çoni ndërmend se mund ta bëni këtë dhe të mbetni gjallë’”.
“Loja për fron”
Mirëpo vdekja e Prigozhinit nuk do të bëhet pa çmimin që do të paguajë Putini. Analistët thonë se vdekja hap mundësinë e betejës për kontrollin e perandorisë së madhe të “Wagnerit” dhe përçarjes mes pragmatistëve që nuk duan të integrohen në Ministrinë e Mbrojtjes dhe fraksionet ultranacionaliste të cilat tashmë kanë nisur të shprehin pakënaqësinë nëpër rrjetet sociale.
“Mendoj se në shumë mënyra do të bëhet ambient i ngjashëm me ‘Game of Thrones’ apo ‘Sopranos’ në të cilin do të ketë luftë mes fraksioneve të vogla”, thotë Andrew Borene, ish-zyrtar i inteligjencës amerikane.
“Në periudhë më të gjatë është humbje strategjike [për Rusinë]”, thotë ai.
Samuel Ramani, analist në institutin “Rusi” në Londër dhe autor i librit “Russia in Africa”, thotë se humbja e rrjetit të gjerë të Prigozhinit do të jetë e keqe për Putinin.
“Ai humb kontaktet personale që Prigozhini ka arritur t’i menaxhojë në kontinent, përfshirë ato për eksportin e arit dhe diamanteve nga shtetet si Mali dhe Republika e Afrikës Qendrore”, thotë Ramani.
Rrëzimi i aeroplanit ndodhi në ditën kur mediat ruse raportuan për shkarkimin e Sergei Surovikin, ish-komandant i ushtrisë ruse në Ukrainë. Surovikin ishte duke u hetuar për përfshirje në kryengritjen e Prigozhinit.
Rënia e dy burrave – të cilësuar si më efektivët në luftë – mund të dëmtojë aftësitë e Moskës për të organizuar operacionet gjatë vitit të ardhshëm, thotë Ramani.
Nëse Putini është përgjegjës për vdekjen e Prigozhinit, demonstron se është i gatshëm që të përfshihet në shtypjen brutale të kryengritësve.
“Por kjo tregon gjithashtu cenueshmëri, sepse ai duhet të përdorë forcën tani për të shtypur këta ultranacionalistë, të cilët më parë ishte në gjendje t'i bashkonte dhe t'i qetësonte duke i përfshirë në koalicionin e tij. Dhe kjo nuk flet mirë për qëndrueshmërinë e Putinit përtej vitit 2024”.
Përktheu: Gent Mehmeti