Grupi militant i Hamasit ka premtuar se do të vazhdojë lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza, mirëpo është rritur presioni ndërkombëtar, sidomos nga SHBA-ja që të zgjatet armëpushimi, teksa Izraelit i është përçuar mesazhi që të kursejë civilët palestinezë nëse vazhdon ofensivën ushtarake në Gaza
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e pestë të martën, me grupin militant që premtoi të lirojë më shumë pengje civile për të vonuar rifillimin e pritshëm të luftës.
Palët ranë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre deri të mërkurën, me dy shkëmbime të tjera të planifikuara të pengjeve të mbajtura nga militantët për palestinezët e burgosur nga Izraeli. Por Izraeli është zotuar vazhdimisht se do të rifillojë luftën me “forcë të plotë” për ta shkatërruar Hamasin pasi të jetë e qartë se asnjë peng tjetër nuk do të lirohet sipas kushteve të marrëveshjes aktuale.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do ta vizitojë rajonin më vonë këtë javë për herë të tretë që nga fillimi i luftës dhe pritet të bëjë presion për zgjatjen e armëpushimit dhe lirimin e më shumë pengjeve.
Administrata Biden i ka thënë Izraelit se duhet të shmangë “zhvendosjen e madhe të palestinezëve” dhe viktimat mes civilëve palestinezë nëse rifillon ofensivën dhe se duhet të operojë me më shumë saktësi në Gazën jugore sesa në veri, sipas zyrtarëve amerikanë. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sipas rregullave bazë të vendosura nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përsëriti thirrjen e tij për armëpushim afatgjatë dhe lirimin e të gjithë pengjeve, duke reflektuar mbështetjen e gjerë ndërkombëtare për një ndërprerje të armiqësive.
Hamasi dhe militantë të tjerë ende mbajnë rreth 160 persona, nga 240 të kapur në sulmin e tyre të 7 tetorit në jug të Izraelit që nxiti luftën. Kjo është e mjaftueshme për të zgjatur potencialisht armëpushimin edhe për dy javë të tjera nën kuadrin ekzistues të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, por Hamasi pritet të bëjë kërkesa shumë më të larta për lirimin e ushtarëve të robëruar.
Sido që të jetë, Izraeli thotë se është i përkushtuar për rifillimin e luftës, e cila tashmë është raundi më vdekjeprurës i dhunës izraelito-palestineze në dekada. Ai fajëson Hamasin për numrin e madh të viktimave, duke akuzuar militantët se përdorin civilët si mburoja njerëzore, ndërsa veprojnë në zona të dendura banimi.
Izraeli është zotuar t’i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gaza dhe të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake. Kjo pothuajse me siguri do të kërkonte zgjerimin e ofensivës tokësore nga Gaza veriore - ku zona të tëra banimi janë goditur në rrënoja - në jug, ku qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë grumbulluar në strehimoret e tejmbushura të Kombeve të Bashkuara.
Pengjet e liruara
Hamasi liroi 11 gra dhe fëmijë të tjerë të hënën në shkëmbimin e katërt dhe të fundit të planifikuar sipas marrëveshjes fillestare të armëpushimit, e cila hyri në fuqi të premten. Izraeli liroi 33 të burgosur palestinezë.
Lirimet e së hënës e çojnë në 51 numrin e izraelitëve të liruar nën armëpushimin, së bashku me 19 pengje të kombësive të tjera. Deri më tani, 150 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite. Izraeli ka thënë se do të zgjasë armëpushimin me një ditë për çdo 10 pengje shtesë të liruar.
Të burgosurit palestinezë të liruar deri më tani kanë qenë kryesisht adoleshentë të akuzuar për gjuajtje me gurë dhe bomba zjarri gjatë konfrontimeve me forcat izraelite. Disa u dënuan nga gjykatat izraelite për përpjekje për të kryer sulme vdekjeprurëse. Të burgosurit shihen gjerësisht nga palestinezët si heronj që i rezistojnë okupimit.
Shumica e pengjeve të liruara dukej se ishin fizikisht mirë, por një grua 84-vjeçare e liruar të dielën u shtrua në spital në gjendje kritike, sepse nuk kishte pasur qasje në mjekimet e saj në robëri. Ata kanë qëndruar kryesisht larg syrit të publikut, por detajet e robërisë së tyre kanë nisur të dalin në pah.
Në një nga intervistat e para me një peng të liruar, 78-vjeçarja Ruti Munder i tha televizionit izraelit Channel 13 se ajo fillimisht ishte ushqyer mirë në robëri, porse kushtet u përkeqësuan më vonë. Ajo ka treguar se ishte mbajtur në një dhomë “mbytëse” dhe flinte në karrige plastike me një çarçaf për gati 50 ditë.
Izraeli vendosi një bllokadë totale të Gazës në fillim të luftës dhe kishte lejuar vetëm ndihmat humanitare të hynin përpara armëpushimit, duke çuar në mungesë të gjerë të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit për gjeneratorët e energjisë.
Gaza veriore në gërmadha
Armëpushimi i ka lejuar banorët që kanë mbetur në qytetin e Gazës dhe pjesë të tjera të veriut të dalin për të vëzhguar shkatërrimin dhe të përpiqen të gjejnë dhe varrosin të afërmit. Pamjet nga Gaza veriore, fokusi i ofensivës tokësore izraelite, tregojnë pothuajse çdo ndërtesë të dëmtuar ose të shkatërruar.
Një konsorcium ndihme i udhëhequr nga OKB-ja vlerëson se mbi 234 mijë shtëpi janë dëmtuar në të gjithë Gazën dhe 46 mijë janë shkatërruar plotësisht, duke arritur në rreth 60% të stokut të banesave në territorin, i cili është shtëpia e rreth 2.3 milionë palestinezëve. Në veri, shkatërrimi i shtëpive dhe i infrastrukturës civile “e komprometon rëndë aftësinë për të përmbushur kërkesat bazë për të mbajtur jetën”, tha ai.
Më shumë se 13.300 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, afërsisht dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve. Më shumë se 1.200 njerëz janë vrarë në anën izraelite, kryesisht civilë të vrarë në sulmin fillestar. Të paktën 77 ushtarë janë vrarë në ofensivën tokësore të Izraelit.
Numri në anën palestineze ka të ngjarë shumë më i lartë, pasi Ministria e Shëndetësisë ka qenë në gjendje të përditësojë në mënyrë sporadike numërimin e saj që nga 11 nëntori, për shkak të prishjes së sektorit shëndetësor në veri. Ai gjithashtu thotë se mijëra njerëz janë të zhdukur dhe dyshohet se janë bllokuar ose të vdekur nën rrënoja.
Frika për jugun
Bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit kanë zhvendosur më shumë se 1.8 milionë njerëz, gati 80% e popullsisë së Gazës, ku shumica kanë kërkuar strehim në jug, sipas Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare. Trupat izraelite i kanë ndaluar njerëzit të kthehen në veri gjatë armëpushimit.
Qindra mijëra njerëz janë grumbulluar në shkollat dhe objektet e tjera të drejtuara nga OKB-ja, me shumë të detyruar të flenë në rrugë jashtë për shkak të mbipopullimit. Është e paqartë se ku do të shkojnë nëse Izraeli zgjeron operacionin e tij tokësor, pasi Egjipti ka refuzuar të pranojë refugjatë dhe Izraeli ka mbyllur kufirin e tij.
OKB-ja thotë se armëpushimi bëri të mundur rritjen e shpërndarjes së ushqimit, ujit dhe ilaçeve në vëllimin më të madh që nga fillimi i luftës. Por 160 deri në 200 kamionë në ditë është ende më pak se gjysma e asaj që Gaza importonte para luftimeve, edhe pse nevojat humanitare janë rritur.
Juliette Toma, një zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, tha se njerëzit vijnë në strehimore duke kërkuar rroba të rënda, dyshekë dhe batanije dhe se disa po flenë në automjete të dëmtuara.
“Nevojat janë dërrmuese”, ka theksuar ajo për Associated Press. “Ata humbën gjithçka, dhe ata kanë nevojë për gjithçka”.
Përktheu: Blerta Haxhiu