Vatikani do ta japë vlerësimin e shumëpritur mbi një nga aspektet më të kontestuara të katolicizmit romak në vitet e fundit – shfaqjet e raportuara të Virgjëreshës Mari në një fshat dikur të panjohur në Bosnjën jugore.
Pas një studimi gati 15-vjetësh, kreu i zyrës së doktrinës së Vatikanit, kardinali Victor Manuel Fernandez, do të mbajë konferencë për media të enjten për atë që Vatikani e ka quajtur “eksperienca shpirtërore e Megjugorjes”.
Në vitin 1981, gjashtë fëmijë pretenduan se kishin parë vizione të Virgjëreshës Mari mbi një kodër shkëmbore mbi fshatin e tyre. Disa prej tyre pretendojnë se këto vizione i kanë parë rregullisht që atëherë, dhe se Maria u dërgon mesazhe, raportoi AP.
Si rezultat, Megjugorja është bërë një destinacion i madh pelegrinazhi në Evropë për besimtarët e krishterë, duke tërhequr miliona njerëz ndër vite.
Megjithatë, ndryshe nga vendet e shenjta të njohura në Fatima, Portugali, ose Lourdes në Francë, shfaqjet e supozuara në Megjugorje asnjëherë nuk janë shpallur si të vërteta nga Vatikani.
Ndër vite, peshkopët dhe zyrtarët e Vatikanit kanë hedhur dyshime mbi vërtetësinë e këtyre vizioneve për shkak të interesave ekonomike që mund të kenë nxitur raportimet për to. Turizmi fetar është bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë pas Megjugorjes. Rritja ekonomike ka kontribuuar në mirëqenien financiare të komunës pas luftës në Bosnjë në vitet 1990 që shkatërroi ekonominë.
Por, Vatikani të enjten do ta thotë fjalën e tij mbi këtë.
Vatikani ia jep dritën e gjelbër Megjugorjes si vend pelegrinazhi
Vatikani të enjten ia ka dhënë dritën e gjelbër katolikëve që të vazhdojnë udhëtimin drejt fshatit boshnjak ku fëmijë kishin raportuar vite më parë për vizione të Virgjëreshës Mari.
Në një analizë të detajuar pas 15 vjetësh, Vatikani nuk i ka shpallur si të vërteta vizionet në Megjugorje ose se ato kishin origjinë të mbinatyrshme. Po ashtu, ka ngrehur shqetësime rreth “mesazheve” që njerëzit kanë pretenduar se kanë marrë përgjatë vitesh.
Por, në përputhje me kriteret e reja Vatikani vendosi se “të mirat shpirtërore” që rrjedhin nga eksperienca e Megjugorjes justifikohen dhe ka lejuar besimtarët të organizojnë pelegrinazhe, raportoi AP.
Vendimi në thelb hedh poshtë dyshimet në lidhje me vërtetësinë e vizioneve të supozuara të Virgjerëshës Mari në Megjugorje. Hedh poshtë gjithashtu shqetësimet rreth interesave ekonomike që e kanë kthyer Megjugorjen në destinacion turistik.
Kriteret e reja përfshijnë dritën e gjelbër, të ashtuquajtur “nihil obstat”, që do të thotë se nuk ka asgjë në lidhje me ngjarjen që është në kundërshtim me besimin – si rrjedhojë katolikët mund të shprehin përkushtimin e tyre. Me miratimin e Papa Françeskut të enjten, Vatikani ia dha këtë “nihil obstat” Megjugorjes.
Në analizën e tij, Vatikani renditi edhe përfitimet e shumta shpirtërore të lidhura me pelegrinazhin në atë zonë. Tha se nuk kishte asnjë shembull të ndonjë eksperience negative nga aty.
Megjithatë, duket se Vatikani është munduar ta distancojë veten nga njerëzit që qëndrojnë prapa pretendimeve për vizione, duke theksuar se përfitimet nga Megjugorja nuk kanë ndodhur si rezultat i takimit me ata njerëz por për shkak “të kontekstit të pelegrinazhit në vendet e lidhura me ngjarjet origjinale”.
Në dokumente renditen shqetësimet për mesazhet që pretendohet se morën ata njerëz, duke përfshirë raste kur mesazhi binte në kundërshtim me aspektet e doktrinës katolike.