Botë

Prigozhini varroset “pa bujë” në Shën Petersburgun e tij të lindjes

Funerali u zhvillua larg fokusit të mediave dhe në kontrast të plotë me stilin e tij të jetës, përherë përpara syve të publikut, me anë të të cilit Prigozhini i pati dhënë jehonë reputacionit të tij prej njeriu të pamëshirshëm e ambicioz në dhe përtej Rusisë. “Lamtumira për Yevgeny Viktorovichin u zhvillua në një format të mbyllur. Ata që duan t’i thonë lamtumirë mund t’i vizitojnë varrezat e Prokhovskoyes”, thuhet shkurt në njoftimin e shërbimit të tij për shtyp në Telegram

I bujshëm në jetë por diskret në vdekje, shefi i mercenarëve rusë, Yevgeny Prigozhin, u varros të martën pa zhurmë në varrezat e mbuluara me gjethe të periferisë së Shën Petersburgut, gjashtë ditë pasi u vra në një aksident të pashpjeguar me aeroplan.

Funerali u zhvillua larg fokusit të mediave dhe në kontrast të plotë me stilin e tij të jetës, përherë përpara syve të publikut, me anë të të cilit Prigozhini i pati dhënë jehonë reputacionit të tij prej njeriu të pamëshirshëm e ambicioz në dhe përtej Rusisë.

“Lamtumira për Yevgeny Viktorovichin u zhvillua në një format të mbyllur. Ata që duan t’i thonë lamtumirë mund t’i vizitojnë varrezat e Prokhovskoyes”, thuhet shkurt në njoftimin e shërbimit të tij për shtyp në Telegram.

Prigozhini, dy lejtënantë të nivelit të lartë të grupit të tij “Wagner” dhe katër truproja ishin në mesin e 10 personave që vdiqën kur fluturakja e tij private Embraer Legacy 600 u përplas përtokë në veri të Moskës, më 23 gusht. Ai vdiq dy muaj pas ditës kur e ndërmori një revoltë të shkurtër kundër establishmentit të mbrojtjes, në atë që ka përbërë sfidën më të madhe për sundimin e Vladimit Putinit që nga ngritja e tij në pushtet më 1999. Fotografitë dhe videoxhirimet e siguruara nga Reutersi e shfaqën varrin e Prigozhinit të mbuluar me lule në varrezat përplot shkurre, me prani të madhe të policëve dhe të anëtarëve të gardës kombëtare Rosgvardiya.

Mediumi i pavarur Agentstvo e citoi një nëpunës të varrezës tek thotë se vetëm 20 deri në 30 miq dhe familjarë morën pjesë në ceremoninë e varrimit që zgjati vetëm 40 minuta.

Ngjarja u mbajt sekret për ta shmangur demonstrimin e gjerë të mbështetjes publike për Prigozhinin, një figurë kjo brutale që megjithëkëtë është admiruar nga disa në Rusi shkaku që i dërgoi luftëtarët e tij në fushëbetejë në Ukrainë dhe ngase fliste haptas për mangësitë e ushtrisë ruse dhe udhëheqjes së saj.

Ditëve të fundit admirues të tij vendosën lule në tempuj të improvizuar për Prigozhinin në Moskë, Shën Petersburg dhe në vende të tjera. Kremlini zyrtar e mohoi si “gënjeshtër absolute” sugjerimin se Putini e urdhëroi vdekjen e tij në hakmarrje për kryengritjen e qershorit. Gjatë së martës, nga Kremlini thanë se presidenti nuk do të marrë pjesë në funeral. Ai e pati kualifikuar Prigozhinin si tradhtar, veprimi i të cilit do të mund ta zhyste Rusinë në një luftë civile, ani se më vonë lidhi marrëveshje me të për ta zbutur krizën.

Një ditë pas aksidentit, Putini u dërgoi telegram ngushëllimi familjarëve të tij dhe tha se e ka njohur Prigozhinin për kohë shumë të gjatë, që nga vitet kaotike të fillimit të 90’ave.

“Ai ishte një burrë i fatit të vështirë dhe bëri gabime serioze në jetë”, tha Putin, teksa e përshkroi atë si afarist të talentuar.

Para rebelimit, Prigozhini sugjeroi që nofka e tij të ndërrohej në “Kasapi i Putinit” nga “Kuzhinieri i Putinit”. Ai përherë i ka shprehur besnikëri Putinit ndonëse tha që ministri i tij i mbrojtjes, Sergei Shoigu, ishte aq jokompetent saqë duhej ekzekutuar për tradhti.

Pas vdekjes së Prigozhinit, Putini i urdhëroi luftëtarët e “Wagnerit” që ta nënshkruajnë betimin e besnikërisë për shtetin rus, një hap ky të cilin Prigozhini e kundërshtoi shkaku i zemërimit me Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilën tha se po rrezikonte ta humbte luftën në Ukrainë.

Hetuesit thanë të dielën se testet gjenetike i konfirmuan identitetet e të 10 të vdekurve në aksidentin me aeroplanë, në mesin e të cilëve ishin edhe dy pilotë dhe një pjesëtar i ekuipazhit të fluturakes.

Agjencia më e lartë e hetimit në, Komiteti Hetues, konfirmoi zyrtarisht vdekjen e Prigozhinit, por nuk specifikoi se çfarë mund ta kishte shtrënguar rrëzimin e aeroplanit. Pak para rrëzimit, Prigozhin ishte kthyer nga një udhëtim në Afrikë, ku kërkoi të zgjeronte aktivitetet e grupit “Wagner”.

Komandanti i dytë i Prigozhinit, Dmitry Utkin, oficer i inteligjencës ushtarake në pension, i cili ia dha emrin grupit mercenar bazuar në emrin e tij, ishte gjithashtu në mesin e 10 personave që vdiqën në përplasje.

Një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane nxori përfundimin se një shpërthim i qëllimshëm e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit, ndërsa zyrtarët perëndimorë e përpiluan një listë të gjatë të armiqve të Putinit që janë vrarë. Kremlini i hodhi poshtë akuzat perëndimore se Putini qëndronte prapa rrëzimit të aeroplanit.

Image