Gaza

Varreza masive e qese me trupa: Spitali “Al-Shifa” pas tërheqjes së Izraelit

Spitali “Al-Shifa” pas ofensivës izraelite

Spitali “Al-Shifa” pas ofensivës izraelite

Foto: BBC

Gjatë tetë muajve të luftës spitalet kanë qenë nën sulme të vazhdueshme. Izraeli supozon se këto qendra përdoren si baza nga Hamasi. Grupi militant e mohon. Por ngjarjet në “Al-Shifa – një nga objektet mjekësore më të mëdha dhe më të pajisura në Rripin e Gazës – pa dyshim kanë qenë më dramatiket.

Pasi forcat izraelite u larguan nga kompleksi i spitalit “Al-Shifa” të qytetit Gaza më 1 prill, pas bastisjes së dytë atje, palestinezët e tronditur që iu afruan rrënojave të djegura kanë thënë se vinte era vdekje. 
Gjatë tetë muajve të luftës, spitalet kanë qenë nën sulme të vazhdueshme. Izraeli supozon se këto qendra përdoren si baza nga Hamasi. Grupi militant e mohon.

Por ngjarjet në “Al-Shifa” – një nga objektet mjekësore më të mëdha dhe më të pajisura në Rripin e Gazës – pa dyshim kanë qenë më dramatiket.

Bastisja e befasishme dyjavore, e nisur pasi Izraeli, tregon se Hamasi është rigrupuar në atë vend, është përshkruar nga Qeveria izraelite si “precize dhe kirurgjikale”.

Zëdhënësi i qeverisë, Avi Hyman, ka thënë se kjo e ka vendosur “standardin e artë të luftës urbane”.

“Ne kemi vrarë 200 terroristë. Ne kemi kapur mbi 900 terroristë pa asnjë viktimë të vetme civile”, u shpreh ai.

Por teksa trupat e dekompozuar që dilnin nga rëra e mbledhur nga buldozerët luftarakë në oborret e “Al-Shifas”, pretendimi se nuk ka pasur viktima civile, ka ngritur pyetje të menjëhershme.

Varrezat masive

Gjatë javëve të fundit, katër varre masive janë zbuluar në këtë zonë. Ekipet palestineze të kërkimit kanë thënë se kanë gjetur qindra trupa. 

“Ne kemi nxjerrë martirë, shumë prej të cilëve janë të dekompozuar dhe tërësisht të paidentifikueshëm”, ka thënë Rami Dababeshi, punonjës palestinez i Mbrojtjes Civile Palestineze, më 8 maj, teksa qëndronte afër një rreshti të qeseve të bardha plastike të trupave në “Al-Shifa”. Ai kishte vendosur maskë dhe pajisje mbrojtëse. “Kemi gjetur kufoma të grave, fëmijëve dhe individëve pa koka, si dhe pjesë të gjymtuara të trupave”, ka shtuar ai.

Mbrojtjes Civile, organizatë përgjegjëse për shërbimet e urgjencës dhe shpëtimit nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, i mungojnë pajisjet mjekoligjore dhe ekspertiza, por ekipet e veta kanë qenë duke përdorur foto dhe video për t’i dokumentuar kufomat. Drejtori Mohamed Mughir ka thënë se ka pasur gjetje të dyshimta; duke shpjeguar se “shenja të ekzekutimeve, shenja të lidhjes, lëndime nga plumbi në kokë dhe shenja të torturës në gjymtyrë janë gjetur në trupat e disa martirëve”.
Këshilli i Sigurisë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka shprehur “shqetësim të thellë” ndaj zbulimit të varreve masive si në “Al-Shifa” ashtu edhe në spitalin jugor të Gazës, “Nasser”. Së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ka bërë thirrje për hetime të pavarura ndaj krimeve të mundshme të luftës.

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë thënë se gjatë bastisjes së spitaleve të Gazës, ushtarët e vet i kanë ekzaminuar trupat që palestinezët i kishin varrosur më herët, si pjesë e kërkimit të trupave të rreth 250 pengjeve të kidnapuara gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
IDF-ja ka këmbëngulur se trupat janë ekzaminuar dhe ata që nuk kanë qenë pjesë e pengjeve izraelite janë rikthyer në vendin e tyre.

Gjithsesi, të paktën disa kufoma të gjetura së fundmi në “Al-Shifa”, janë kufomat e disa nga pacientët që kanë vdekur gjatë aksionit të fundit ushtarak të Izraelit. Një mjek i ndihmës së parë, që është përfshirë në kërkim, ka thënë se disa i kishin ende të lidhura kateterat.

Më 15 prill, BBC-ja i ka takuar dy burra, nënat e vdekura të të cilëve janë parë për herë të fundit duke u trajtuar në këtë spital. Trupat e tyre sapo ishin nxjerrë nga njëra varrezë masive.

“Kam ardhur duke vrapuar kur më kanë treguar për varrin”, ka thënë Mohammed al-Khatib, që ka kaluar ditë të tëra duke e kërkuar nënën e tij, Khawla. “Me hirin e Zotit të Plotfuqishëm trupi i saj është gjetur”.

Walid Fteima ka thënë se trupi i nënës së tij të moshuar, Lina Abu Leila, ka qenë duke u trajtuar për kequshqyerje dhe dehidrim të rëndë kur ka vdekur. Trupi i saj ishte i dekompozuar dhe ai ka mundur ta identifikonte vetëm përmes lëndimeve që i kishte pësuar nga një bombardim izraelit të vitit të kaluar.

“Ajo ka pasur nga një gisht të amputuar në të dyja këmbët”, ka shpjeguar ai.

Mjekët duke bartur trupa nga varrezat masive në “Al-Shifa” Foto: BBC

Ofensiva dhe “gjetja” e anëtarëve të Hamasit

Pasi e pati filluar operacionin në spital më 18 mars, IDF-ja i ka urdhëruar mijëra civilët që kanë qenë duke u strehuar atje dhe duke jetuar në afërsi, për t’u larguar dhe për t’u nisur në jug. Megjithatë, ka thënë se spitali do të vazhdojë të funksionojë. Pas dy javëve, rreth 140 pacientë dhe anëtarë të stafit mjekësor kanë mbetur aty, sipas raportimeve.

Përfaqësuesi lokal i Organizatës Botërore të Shëndetit, Rik Peeperkorn, ka thënë se grupi është përballur me “kushte të tmerrshme”. Pasi janë zhvendosur në mënyrë të vazhdueshme rreth kompleksit, sipas tij, ata “në fund janë dërguar në ndërtesën e burimeve njerëzore që ka qenë krejtësisht e papërshtatshme për trajtime mjekësore”. Në fund, ka shtuar ai, kanë vdekur 20 pacientë.
Disa nga pacientët e mbijetuar – të gjithë të lënduar nga sulmet e mëhershme izraelite – kanë thënë se u janë dhënë racione të dobëta të ushqimit, si për shembull tunë e konservuar. Ata kanë thënë se ka pasur mungesa të mëdha të ujit të pijshëm dhe ilaçeve.

“Bombardimet na kanë rrethuar 24/7”, ka thënë Mohamed al-Nadeem, i cili është gjysmë i paralizuar. “Jam i sëmurë dhe nuk mund të lëviz. Kam fjetur në dysheme pa batanije”. 
“Nuk ka pasur fashë ose ilaçe kundër dhimbjes”, ka thënë Rafif Doghmushi, 15-vjeçar, këmba e të cilit është amputuar.

IDF-ja u ka thënë gazetarëve se asnjë anëtar i stafit ose pacientë nuk ka vdekur si “rezultat direkt” i ofensivës, por se disa kanë mundur të kenë vdekur nga “shkaqet natyrore”.

Gjatë bastisjes, Izraeli ka thënë se ushtarët u kanë ndihmuar pacientëve, duke i larguar nga rreziku dhe se furnizimet mjekësore dhe pajisjet, si dhe ushqimi, uji dhe një gjenerator janë sjellë në spital.
Në pamjet nga dronët të publikuara prej IDF-së pasi e ka nisur bastisjen më 18 mars, janë parë palestinezë të armatosur që me sa duket kanë shtënë drejt ushtarëve nga spitali “Al-Shifa”. Më vonë, të armatosurit është thënë se janë barrikaduar brenda reparteve dhe korridoreve, duke shtënë me armë dhe duke hedhur eksplozivë.

Tre ushtarë izraelitë është konfirmuar të jenë vrarë gjatë operacionit të gjatë dyjavor.
IDF-ja i ka informuar gazetarët se ofensiva në spital është kryer në bazë të “inteligjencës konkrete” që Hamasi dhe Xhihadi Islamik palestinez kishte marrë kontrollin e disa pjesëve të zonës, duke sugjeruar se militantët e kanë përdorur spitalin për të pasur qasje në furnizime, rrymë elektrike dhe internet. 
Hamasi e ka mohuar se ka qenë duke e përdorur “Al-Shifan”. Por zyrtarët e tij nuk e kanë mohuar prezencën e disa anëtarëve brenda kompleksit, duke sugjeruar se ata kanë mundur të kenë lëvizur në mesin e njerëzve që strehoheshin atje.

Izraeli ka thënë se “mbi 200 terroristë” janë vrarë brenda dhe rreth “Al-Shifas”, si dhe qindra të tjerë janë arrestuar, por ka dhënë vetëm disa emra.

Këta emra e përfshijnë Faiq al-Mabhouhin, të përshkruar si udhëheqës të operacioneve në shërbimin e brendshëm të sigurisë së Hamasit. Zyra e medias qeveritare e udhëhequr nga Hamasi ka thënë se ai ka qenë komandant i policisë e se ka qenë duke i koordinuar dërgesat e ndihmave në Gazën veriore.
Viktimat e tjera janë identifikuar si komandanti i lartë i Hamasit, Raed Thabet. Thabet është thënë të ketë qenë kreu i rekrutimit dhe blerjes së furnizimeve dhe Mahmoud Zakzouki, që është thënë se ka qenë zëvendëskomandant i njësisë raketore të Hamasit në qytetin e Gazës. Dy militantë të tjerë të Hamasit janë emëruar të jenë Fadi Dweiki dhe Zakaria Najibi. Ata është thënë se janë përfshirë në organizimin e sulmeve në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Në prill, IDF-ja gjithashtu ka publikuar pamje, të cilat ka thënë se janë nga marrja në pyetje e Tarek Abu Shalufit, zëdhënës i krahut të partisë së Xhihadit Islamik. IDF-ja ka thënë se ai ishte kapur në “Al-Shifa”.

Hamasi dhe Xhihadi Islamik nuk i kanë konfirmuar emrat e luftëtarëve të vrarë nga ushtria izraelite, çka e ka bërë të vështirë të vlerësohet sa janë vrarë në spital dhe sa në rrethinë. Është e mundur se një numër i tyre janë gjetur në mesin e të vrarëve në varrezat masive.

Nevoja për hetim

Pavarësisht pretendimit izraelit se nuk ka pasur “asnjë viktimë civile” nga bastisja, BBC-së i është dhënë dëshmi e fortë se ka pasur civilë palestinezë të vrarë nga bombardimet e rënda izraelite dhe nga të shtënat intensive në lagjen rreth spitalit. 

Mbrojtja Civile Palestineze ka thënë se qindra palestinezë janë akoma të raportuar të jenë të zhdukur pas bastisjes në mars.

Ka pasur vazhdimisht rrëfime kontradiktore rreth asaj që ka ndodhur në dhe rreth spitalit “Al-Shifa”.
Gjatë bastisjes së parë kontradiktore atje, ushtria izraelite i ka rritur shpresat se pengjet izraelite mund të gjenden në zonë. Gjithashtu ka lëshuar një grafikë që tregon një rrjet të tuneleve nëntokësore, që sipas pretendimeve kalonte nën spital, duke shërbyer si qendër kryesore e komandimit dhe kontrollit të Hamasit.

Ndërsa IDF-ja ka thënë se i ka rikthyer trupat e dy pengjeve izraelite afër spitalit, nuk ka treguar nëse kanë gjetur ndonjë brenda kompleksit. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë treguar se të paktën dy robër të huaj ishin dërguar atje më 7 tetor. 

IDF-ja ka treguar se e ka fortifikuar tunelin prej 55 metrash që kalon poshtë spitalit. Kjo ka dështuar t’i mbështesë pretendimet fillestare për shtrirjen e tuneleve të fshehura, megjithëse raportimet e mëvonshme kanë sugjeruar se nënkalimi – i cili është hedhur në erë – kishte qenë në fakt më i gjatë dhe se ka shumë gjasa të ishte i lidhur me një rrjet më të gjerë nën qytetin e Gazës.
Kur është kthyer në këtë zonë në mars, IDF-ja ka sugjeruar se gjetjet kryesore kanë qenë të një natyre tjetër, duke publikuar fotografi të parave, armëve dhe municioneve, të cilat ka thënë se i ka gjetur aty së bashku me dokumentet e Hamasit. 

“Al-Shifa” ka qenë qendra e debatit nëse Hamasi i përdor zonat shëndetësore si mburojë. Izraeli ka supozuar vazhdimisht se grupi i fsheh luftëtarët dhe infrastrukturën prapa të sëmurëve dhe të lënduarve, çka sugjeron se i ka bërë spitalet objektiva legjitime ushtarake.

Hamasi e ka mohuar përdorimin e zonave civile dhe e ka akuzuar Izraelin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare duke i shënjestruar spitalet.

Në prill, kur OKB-ja ka kërkuar “hetim të qartë, transparent dhe të besueshëm” të varreve masive në Gaza, zëdhënësi i saj, Stephane Dujarric, u ka thënë reporterëve se më shumë gazetarë duhet të jenë në gjendje të punojnë nën siguri në terren për t’i raportuar faktet. Gjatë luftës, Izraeli dhe Egjipti u kanë mohuar qasje mediave të huaja.

Dujarrici gjithashtu ka thënë se “është e rëndësishme që të gjitha provat mjekoligjore të ruhen mirë”. Deri më tash është provuar se kjo është mjaft sfiduese. 
Specialistët ndërkombëtarë mjekoligjorë e kanë pasur të pamundur ta arrijnë Gazën për ta hetuar atë që ka ndodhur në “Al-Shifa”. Kjo e ka zhvendosur pjesën më të madhe të fokusit lokal në regjistrimin dhe identifikimin e të vdekurve aty ku është e mundur dhe kryerjen e varrimeve të duhura.
Gërmimi i vendeve të varrezave masive, kanë thënë ekspertët, përfundimisht do ta bëjë shumë më të vështirë zbulimin e së vërtetës rreth tyre.

Në ndërkohë, edhe pse “Al-Shifa” është shkatërruar shumë, ka pasur përpjekje të fundit për t’i rikthyer shërbimet mjekësore të limituara në zonë. Këto kanë marrë vrull pasi Izraeli ka shënjestruar objekte të tjera shëndetësore, të cilat ka thënë se po përdoreshin nga Hamasi, veçanërisht spitali “Kamal Adwan” në Gazën veriore.

Në fund të majit, në një dhomë të njësisë së dializës, të riparuar me nxitim në “Al-Shifa”, gazetari që ka punuar me BBC-në ka takuar katër pacientë teksa ishin të ulur dhe të lidhur me pajisjet mjekësore. Pas kaq shumë vdekjeve në spital, ai përsëri është duke ofruar disa trajtime që shpëtojnë jetë.