Një marrëveshje për ngrirjen e vijave të frontit “diku afër” ku ato janë sot është një nga hapat final për arritjen e paqe në mes Ukrainës dhe Rusisë, ka deklaruar zëvendës-presidenti amerikan JD Vance, ka raportuar “CNN”.
“Do të shohim nëse evropianët, rusët dhe ukrainasit janë përfundimisht në gjendje ta qojnë këtë gjë drejt fundit”, ka deklaruar Vance, i cili po zhvillon një vizitë në Indi.
“Ndjehem shumë optimist për të. Mendoj se të gjithë janë duke negociuar në mirëbesim”, ka shtuar ai.
I pyetur për të qartësuar nëse propozimi i SHBA-së përfshinë ngrirjen e vijave të frontit aty ku janë, Vance u përgjigj duke thënë “jo, nuk e thash atë. Çfarë thashë është vija e tanishme, diku afër tyre është ku mendoj se përfundimisht do të vendosen vijat e reja të konfliktit”.
“Tani sigurisht, do të thotë se ukrainasit dhe rusët të dyja palët do të duhet të japin një pjesë të territorit që ata e kontrollojnë tani. Ata do të duhet të bëjnë disa këmbime territoriale. Nuk mund t’i them vijat saktësisht, por ne duam që të ndalohen vrasjet”.
Vance i ka përsëritur komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili javën e kaluar ka deklaruar se SHBA-ja do të duhet t’i braktisë përpjekjet e saj për të përfunduar luftën Rusi-Ukrainë nëse nuk ka përparime në bisedime.
