Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar të premten, se kërcënimi kryesor me të cilin ballafaqohet Evropa “vjen nga brenda”, ka raportuar CNN.
“Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë përballë Evropës nuk është Rusia, as Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo që shqetësohem është për kërcënimin nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore”, ka thënë Vance gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Ai citoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë për të anuluar zgjedhjet presidenciale të vendit në vitin e kaluar, mes akuzave për ndërhyrje ruse, si shembull të rrëshqitjes së Evropës.
Kritika liderëve evropianë
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Munih, se dëshiron të dijë se për çfarë qëndrojnë liderët evropianë, duke iu drejtuar me pyetjen se “nga çka po e mbroni veten?”
“Nëse po vraponi nga frika e votuesve të juaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për juve, sa i përket kësaj çështje. A ka ndonjë gjë që mund të bëni ju për popullin amerikan që më zgjodhi mua dhe Presidentin Trump?” ka deklaruar ai.
Vance ka kundërshtuar kritikat e liderëve evropianë drejtuar Elon Muskut, për ndërhyrjet e tij të supozuara në zgjedhjet evropiane, duke thënë se “nëse demokracia amerikane mund t’u mbijetojë 10 vjetëve të qortimit të Greta Thunbergut, ju mund t’u mbijetoni disa muajve të Elon Muskut”.
Ai bëri thirrje për t’u dhënë fund “mureve politike”, referencë kjo që lidhet me përjashtimin e partisë gjermane të ekstremit të djathtë AfD, nga bisedimet për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve federale në Gjermani që do të mbahen më 23 shkurt.
Krahasimi me tiranët e Luftës së Ftohtë
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka krahasuar liderët aktualë evropianë me autokratët që sunduan me regjimet represive në kontinentin evropian gjatë Luftës së Ftohtë.
“Kur shohim gjykatat evropiane që anulojnë zgjedhjet dhe zyrtarët e lartë që kërcënojnë se do të anulojnë të tjera, ne duhet të pyesim nëse po e mbajmë veten në standardin e duhur”, ka thënë Vance të premten në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Vance tërhoqi paralele midis asaj që ai hodhi si goditje ndaj fjalës së lirë sot me autokracitë e shekullit të 20-të.
“Në kujtimin e gjallë të shumë prej jush në këtë dhomë, Lufta e Ftohtë pozicionoi mbrojtësit e demokracisë kundër forcave shumë më tiranike në këtë kontinent”, ka shtuar Vance.
Në vazhdën e fjalimit të tij, Vance ka deklaruar se “nuk mund t'i detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndjejnë apo çfarë të besojnë... Fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë”.