Botë

Vajza që eksploron botën, “derisa bota bëhet e shëmtuar”

Videot virale të eksplorimit të Natasha Guptas Foto: CNN

Një krijuese e përmbajtjes në rrjetet sociale TikTok dhe Instagram eksploron botën duke përdorur Google Earth. Gupta ka postuar videon e parë të “eksplorimit të vendeve derisa ato të bëhen të shëmtuara” verën e fundit, në TikTok dhe në Instagram. Shpejt videot e saj kanë filluar të marrin shumë pëlqime, shikime dhe komente, ku njerëzit nga vendet që vizitonte ajo pajtoheshin ose jo me Guptan. Por si i lindi asaj kjo ide?

Në një video prej dy minutash e 24 sekonda të gjatë, Natasha Gupta udhëton nëpër tërë Francën. Ajo admiron një labirint mbresëlënës, një peizazh me muzg, një katedrale madhështore dhe një ndërtesë të bukur me mozaikë. Gupta i cilëson të gjitha ndalesat me “s’është e shëmtuar”.

Pastaj gjen një pamje më të zakonshme – një hotel “Holiday Inn”. Duket i thjeshtë. I zakonshëm. 
“E shëmtuar” thotë Gupta, në fund. Videoja përfundon.

Eksplorimi me Google Earth

Grupta nuk është duke e eksploruar Francën me të vërtetë në video. Ose të paktën, jo drejtpërdrejt.
Ajo është duke e filmuar veten, duke e eksploruar vendin me Google Earth, duke e prekur një lokacion të rastësishëm dhe duke dhënë vlerësime për çdo vend.

Shumica e kornizës së videos është e fokusuar në pamjet e Google Earth, por Gupta është e vendosur në fund të kornizës, duke i prekur vendet virtuale. Ajo nuk flet shumë – përveç kur thotë “e shëmtuar” ose “s’është e shëmtuar”. Sytë i zgurdullohen ose mrrolet, varësisht prej asaj që sheh.

Mund të mendoni se kjo është e mërzitshme dhe joemocionuese. Interneti nuk është dakord me ju. Eksplorimi i Francës i Guptës ka 6.5 milionë shikime në TikTok.

As nuk është videoja më e shikuar e saj. Eksplorimi i Filipineve ka 13.4 milionë shikime, ndërsa ai i Japonisë ka 17.6 milionë shikime.

Kjo është çfarë ofron TikToku i Guptas, në të cilin ajo “eksploron secilin vend derisa të bëhet i shëmtuar”, siç shkruan përshkrimi në TikTokun e saj.

Gupta e përshkruan veten si grua me prejardhje nga Singapori dhe India. Ajo është zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë dhe thotë se i pëlqen të udhëtojë. Videot me Google Earth kanë lindur nga dëshira për ta eksploruar globin, brenda kufizimeve të stilit të jetesës si londineze në fillim të të 20-ave. Ajo nuk ka fonde për të fluturuar nëpër botë. Por udhëtimi përmes Google Earthit është falas.

Guptas gjithashtu i ka pëlqyer ideja e “shfaqjes së bukurisë së vendeve” dhe për “paragjykimet sfiduese” të lidhura me destinacione të veçanta.

Eksplorimi i globit

Gupta ka postuar videon e parë të “eksplorimit të vendeve derisa të bëhen të shëmtuara” verën e fundit, në TikTok dhe në Instagram.

Shumë shpejt, videot e Guptas kanë marrë shumë pëlqime, shikime dhe komente. Njerëzit nga vendet që “vizitonte” ajo pajtoheshin ose jo me komentet e Guptas. Ndërkohë shikuesit nga vendet tjera sugjeronin destinacione që Gupta mund të “vizitonte” në të ardhmen.

“Në fillim ishte jashtëzakonisht dërrmuese e tërë ajo vëmendje dhe tërë ato komente”, thotë Gupta, edhe pse është e lumtur që ka filluar të fitojë “pak para” nga videot e saj.

Pasi videoja me Anglinë është bërë virale, Gupta ka hipur në një tren të mbushur të metrosë së Londrës, kur ka shikuar rrotull dhe i ka bërë llogaritjet në kokë.

“E kuptova këtë kur mora vesh se isha pjesë e internetit, se edhe dikush tjetër në internet e ka shikuar atë video”, thotë ajo.

Por Gupta ishte gjithashtu e emocionuar që videot e saj, edhe pse me premisën të thjeshtë, ishin treguar kaq bindëse.

Lindja e idesë

Ideja e eksplorimit të botës përmes Google Earth ose Google Street View në emër të artit ose përmbajtjeve në internet – nuk është e re.

E as koncepti i eksplorimit të këtyre pamjeve virtuale derisa të bëhen “të shëmtuara”. Gupta ka qenë në dijeni të disa “llogarive anonime” që përdorin këtë koncept, para se ta fillonte projektin e saj.
Por kur ka folur për këto video me të dashurin e saj – krijues i videove, i quajtur Jay Fujiwara McCaughrean, i njohur për videot që mësojnë gjuhën angleze online – Gupta ka filluar të mendojë nëse mund të ofrojë diçka të re për këtë koncept veç të njohur.

Gupta e ka gjetur se përdoruesve të rrjeteve sociale mund t’iu pëlqejë koncepti i “eksplorimit të botës derisa të jetë e shëmtuar”, kur mund të shihen reagimet dhe shprehjet e fytyrës së krijuesit. Kjo mund të ndihmojë në themelimin e përmbajtjes së videove dhe ta vendosë shikuesin në vendin e krijuesit, ka menduar ajo.

Kështu në një mbrëmje të verës, Gupta ka provuar idenë e saj.

“Vendosa Google Earth në ekranin e laptopit tim, e kam incizuar edhe atë edhe veten”, thotë ajo. “Vendosa ta mbaja të thjeshtë”.

Në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje të përmbajtjes bindëse të videove të TikTok-ut.

Ka përmbajtje me ritme të shpejta, të redaktuara mirë, me përmbajtje muzikore me efekte dhe transicione argëtuese.

Dhe pastaj janë përmbajtjet e thjeshta, pa shqetësime, ku krijuesit janë të veshur me pizhame, duke vendosur makijazh, ose të shtrirë në krevat. 

E fundit ishte më afër vizionit të Guptas.

Prapaskena e xhirimeve të Guptas Foto: CNN

“Çfarë doja unë ishte diçka më e thjeshtë, një vajzë në dhomën e saj, në dukje e relaksuar e duke u argëtuar”, thotë ajo. “Nuk jam e veshur, jam me pizhame. Është filmuar ndoshta në mesnatë, e editova dhe e postova në ora 3 të mëngjesit”.

Thjeshtësia e videos së Guptas me të vërtetë iu ka pëlqyer shikuesve. Dhe ndërsa në videot e fundit Gupta i ka ndërruar pizhamet me bluza me ngjyra të ndezura dhe me këmishë të bardha, ajo ka ruajtur  “atë lloj atmosfere të relaksuar që dukej se u pëlqente njerëzve”.

Ajo ka dashur që videot të duken “të thjeshta dhe relaksuese”. Dhe komentet e hershme kanë sugjeruar se ia ka dalë mbanë, me disa komentues që kanë sugjeruar se janë relaksuese – madje edhe qetësuese – për t’i shikuar. 

Disa kanë thënë se Gupta kishte krijuar aksidentalisht ASMR (përmbajtje që krijon një lloj gjendjeje qetësuese medituese) dhe Gupta tani vendos në videot e saj hashtagun ASMR.

Veçanërisht Gupta nuk e prezanton veten në video. Nëse një përdorues i mediave sociale has në TikTok-ët ose Instagram reelsat e saj, ka të ngjarë që nuk di asgjë për të. Emri i saj i plotë nuk është i shënuar. Nuk përmendet se ku jeton, ose nga është, apo puna e saj.

Çfarë shohin shikuesit është një person, të ulur para laptopit, duke e eksploruar botën përmes Google Earthit, duke e komentuar atë që sheh.

“Kjo është e qëllimshme”, thotë Gupta për anonimitetin e saj relativ. “Videot nuk janë për mua, por më shumë për vendet”.

Plus, si përdoruese e rrjeteve sociale, Gupta e di se përmbajtja më e mirë është “një që të tregon qartë se çfarë do të ndodhë” – pa komplikime.

“E di thjesht që personi do të eksplorojë derisa të bëhet e shëmtuar dhe je aty vetëm për t’u pajtuar apo jo”, i përshkruan videot Gupta.

Zgjedhja e vendeve

Gupta ka postuar 28 video në TikTok me përmbajtje me Google Earth dhe po vazhdon. Çdo video ndjek të njëjtin model pak a shumë. Gupta e prezanton konceptin, pastaj klikon dhe vazhdon eksplorimin. Ndonjëherë ajo komenton pak për ato që sheh në Google Earth. Herëve të tjera vetëm deklaron “s’është e shëmtuar”.

Gjatë muajve të fundit ajo ka eksploruar vende të ndryshme, përfshirë Australinë dhe Italinë. Ajo gjithashtu është bërë më detajiste dhe ka zgjedhur vende specifike amerikane, përfshirë New Yorkun dhe Ohion.

Teksa Grupta gjithmonë kërkon nëpër komente për sugjerime, ajo në përgjithësi i zgjedh destinacionet në bazë të interesave të veta.

“Dua të zgjedh vende që ndoshta nuk marrin mjaft vëmendje”, shton ajo. “Vendet si Bullgaria dhe Polonia – mendoj se kjo është arsyeja pse u pëlqen njerëzve”.

“Të gjitha këto vende janë të bukura në vetvete, por ne thjesht nuk mendojmë për to për shkak të paragjykimeve”.

Guptas i pëlqen ta befasojë edhe veten. Ajo e ka zgjedhur Ohion bazuar në një koment që ka sugjeruar se shteti i Midwesternit do ta bënte “TikTok-un më të shpejtë ndonjëherë”. Në fund, Gupta ka gjetur disa pika në Ohio që i kanë pëlqyer shumë.

Dhe ndërsa disa shikues mendojnë se Gupta i zgjedh paraprakisht vendet që viziton në Google Earth, ajo insiston se klikon në lokacione të rastësishme.

“Ndonjëherë filmoj veten gjatë derisa të gjej një vend të shëmtuar”, thotë ajo.

Videot e papërpunuara janë diku nga pesë deri në 20 minuta të gjata, por TikTok-u dhe Instagrami kanë kufizime të gjatësisë së videos, që e detyrojnë Guptan t’i shkurtojë pamjet e saj. Ajo përfundon duke u fokusuar në vendet më interesante, të cilat mendon se gjeneruan reagimet më tërheqëse – por po mendon të postojë video më të gjata dhe të paprera në YouTube.

Dhe sa i përket përcaktimit “s’është e shëmtuar” kundrejt “e shëmtuar”, Gupta thotë se gjithçka është subjektive dhe “instinktive”.

Gupta e pranon se “moti ndikon në humorin tim” – pamja e njëjtë e bërë në një ditë të zymtë mund të duket shumë më joshëse në një ditë me diell.

Por ajo përpiqet të mos e mendojë shumë zgjedhjen e saj.

“Është kryesisht vetëm shikimi i parë i pamjes”, shpjegon ajo. “A do të doja të shkoja atje? Sa e bukur duket”.

Udhëtimet e drejtpërdrejta

Gupta ka krijuar gjithashtu disa video, të cilat shfaqin udhëtimet e drejtpërdrejta, në vende të njëjta me videot e saj. Për shembull, përpara udhëtimit të fundit për në Milano, Itali, ajo ka kërkuar pikat e rastësishme në Google Earth dhe më pas ka shkuar atje personalisht për ta vlerësuar bukurinë e tyre. Gupta sapo ka postuar një video të ngjashme, duke e eksploruar qytetin e saj të lindjes, Londrën.
Gupta sugjeron se ky mund të jetë “evolucioni i radhës” i përmbajtjes së videove - teksa po shijon udhëtimet reale, eksplorimet në Google Earth vetëm sa po ia shtyjnë më tej dëshirën për ta parë botën.

“Mendoj se nuk kam ndonjë vend specifik ku dua të shkoj, por jam shumë e hapur për të vizituar çdo vend”, thotë Gupta. “Sepse tani e di me të vërtetë se çdo vend do ta ketë njëfarë bukurie dhe nëse shkoj do të mendoj, ‘Oh, kjo është e jashtëzakonshme’”.