Një çift në Pakistan është arrestuar mbi dyshimin për vrasjen e një 13-vjeçareje, e cila punonte për ta si shërbëtore, pasi dyshoi se ajo kishte vjedhur çokollata.
Vajza, të cilës iu referua vetëm me emrin Iqra, u pranua në spital me plagë të shumta të mërkurën e kaluar. Hetimi preliminar i policisë ka gjetur se vajza ishte torturuar.
Rasti ka nxitur zemërim mes popullit dhe në rrjetet sociale kanë nisur postimet me hashtagun “#DrejtësipërIqran”, çka ka nxitur më pas edhe një debat për fëmijët si fuqi punëtore dhe keqtrajtimin e shërbëtorëve, shkroi BBC.
Ligjet që përfshijnë fëmijët si fuqi punëtore ndryshojnë varësisht provincave atje, por fëmijët nën 15 vjeç nuk mund të punësohen në provincën Punjab.
Iqra nisi të punonte si shërbëtore në moshën 8 vjeçe. Babai i saj ka thënë se ai e kishte dërguar të punonte sepse ishte në borxhe.
Dy vjetët e fundit ajo kishte nisur punën te çifti, i cili kishte tetë fëmijë. Ajo fitonte rreth 28 dollarë në muaj.
Policia ka thënë se Iqra është akuzuar për vjedhje të çokollatave nga punëdhënësit e saj dhe se ka prova se ajo është abuzuar.
Pavarësisht kritikave të mëdha, raste të tilla zakonisht humbin në Pakistan, pasi zgjidhen jashtë gjyqit dhe është e rrallë që të dyshuarit të ndiqen penalisht deri në fund.