Botë

Vajza 11-vjeçare shpëtohet në Mesdhe pasi kishte qëndruar tri ditë në ujë

Gomat e shpetimit

Një vajzë 11-vjeçare është shpëtuar pasi kishte qëndruar për tri ditë, me dy goma për not rreth belit të saj, në një mot me erë në Detin Mesdhe, raporton “BBC”. 

Shpëtimtarët e organizatës joqeveritare “Compass Collective” tha se ishin duke shkuar te një rast tjetër emergjent, kur dëgjuan thirrjet për ndihmë. 

Vajza nga Sierra Leone, u tha atyre se ishte nisur me 44 persona tjerë nga Sfaxi i Tunizisë. Varka u fundos dhe gjithë mërgimtarët tjerë dyshohet se kanë vdekur.  Mijëra migrantë që tentojnë të arrijnë Evropën, vdesin çdo vit në Mesdhe. 

Zëdhënësja e Compass Collective, Katja Tempel, i ka treguar BBC-së se shpëtimtarët në anijen “Trotamar III” gjetën vajzën nga Sierra Leone duke veshur një jelek shpëtimi dhe kishte dy për not rreth belit. Ajo u gjet të mërkurën rreth orës 3:20 të mëngjesit. 

Ajo kishte treguar se anija me të cilin po lundronte ishte shembur brenda pak sekondave pasi u godit nga stuhia dhe valët e larta 3.5 metra. 

Ajo tha se ishte në ujë së bashku me dy të tjerë, por humbi kontaktin me ta.
Shpëtimtarët e dorëzuan atë te autoritetet italiane në ishullin Lampedusa.