Botë

Ushtria ukrainase pretendon se ka fundosur një anije ruse

Ushtria e Ukrainës ka thënë të mërkurën se ka fundosur një anije zbarkuese ruse në Detin e Zi duke përdorur dronë detarë, raportim që nuk është konfirmuar nga forcat ruse.

Anija “Caesar Kunikov” u fundos afër Alpukas, qytet në cepin jugor të Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës. Sipas tyre në anije kishte 87 anëtarë të ekuipazhit.

Përmbytja e anijes do ishte goditje e turpshme për flotën detare ruse dhe sukses i rëndësishëm për Ukrainën, 10 ditë para përvjetorit të dytë të fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.

Ukraina është kthyer në defensivë, e shtyrë kjo nga municionet e pakta dhe mungesa e personelit, por ka vazhduar sulmet prapa vijës së frontit 1,500-kilometërshe.

Është hera e dytë brenda dy javëve që Ukraina ka thënë se ka fundosur anije ruse në Detin e Zi.

Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës, e njohur si GUR, ka thënë se njësia e operacioneve speciale të “Grupit 13” ka fundosur “Caesar Kunikov” të mërkurën, duke përdorur dronët detarë Magura V5 me të cilat ka dëmtuar pjesën e majtë të anijes. Njësia e njëjtë ka goditur gjithashtu një anije ruse më 1 shkurt, sipas zyrtarëve.

Sulmet ukrainase mbi avionët dhe anijet ruse në Detin e Zi kanë ndihmuar shtyrjen prapa të flotës detare të Moskës nga bregdeti, duke i lejuar kështu Kievit të rrisë eksportet e drithërave dhe të të mallrave tjera në portet e saja jugore.

Gjenerata e re e sistemeve të armëve është bërë pikë kryesore e luftës, si në det ashtu edhe në tokë.

Droni Magura V5, i cili duket si një skaf i zi, u zbulua vitin e kaluar. Është raportuar se ka shpejtësi prej 30 kilometra në orë dhe mund të mbajë ngarkesë prej 320 kilogramëve.

Ushtria ruse nuk ka komentuar për fundosjen e pretenduar, duke thënë vetëm se ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas mbi Detin e Zi brenda natës.

Caesar Kunikov, sipas të cilit është emërtuar anija, ka qenë hero i Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka vdekur më 14 shkurt 1943.