Botë

Ushtria pakistaneze liron mbi 300 pengje që po mbaheshin në një tren, mbi 20 u vranë

Pakistan

Foto: Associated Press

Ushtria e Pakistanit ka njoftuar se ka liruar më shumë se 300 pengje që po mbaheshin në një tren të marrë peng të martën nga militantët në provincën e Balochistanit. Gjatë operacionit më shumë se 30 militantë janë neutralizuar, ka raportuar “BBC”.

21 pengje civilë dhe katër ushtarakë janë vrarë nga Ushtria Çlirimtare e Balochistanit (BLA) para se të fillonte operacioni, sipas ushtrisë.

Ushtria është duke vazhduar me operacionin e kërkimit në zonë për të larguar çdo kërcënim të mbetur.

Autoritetet pakistaneze si dhe disa vende perëndimore, duke përfshirë Britaninë dhe SHBA-në kanë klasifikuar BLA-në si organizatë terroriste.

BLA-ja është njëri nga grupet rebele që kërkon autonomi më të madhe apo pavarësi për Balochistanin, provincën më të madhe të Pakistanit. 

Ata akuzojnë Islamabadin për shfrytëzimin burimeve minerale të provincës derisa në të njëjtën kohë e neglizhon atë. Në të kaluarën, ata kanë sulmuar kampe ushtarake, stacione hekurudhore dhe trena – por kjo është hera e parë që ata kanë marrë peng një tren.

Më shumë se 100 prej atyre në tren kanë qenë anëtarë të forcave të sigurisë, sipas zyrtarëve.

Militantët kishin kërcënuar se do të vrisnin pengjet nëse autoritetet nuk do t’i lironin të burgosurit politik nga Balochistani, brenda 48 orëve, sipas raportimeve të mediave lokale.

Gjatë sulmit, militantët kanë shpërthyer një pjesë të shinave dhe kanë hapur zjarr ndaj trenit afër një tuneli malor.

Dëshmitari i rastit, Ishaq Noor, ka përshkruar skenat si “apokaliptike”. Ai ka qenë në bord të trenit kur ka ndodhur sulmi. “Kemi mbajtur frymën gjatë gjuajtjeve, duke mos e ditur se çfarë do të ndodhë më pas”. 

Zyrtarët kanë pasur problem të komunikojnë me pasagjerët gjatë kohës së sulmit, sepse zona rurale nuk ka mbulim me internet apo me rrjet tokësor.

Helikopterë dhe qindra trupa ishin vendosur për të shpëtuar pengjet.