Ushtria Nacional Çlirimtare e Ta’angut (TNLA), një grup i armatosur, ka deklaruar se trupat e ushtrisë së Birmanisë kanë sulmuar me automatikë të rëndë nëntë vetura me ndihma derisa po kalonin në qytezën e Naung Cho në veri të shtetit Shan, rrugës për në Mandalay, ka raportuar “BBC”.
TNLA-ja ka shtuar se kolona kishte informuar qeverinë ushtarake për rrugën dhe planet për dërgimin e ndihmave. Gjithsesi ushtria ka thënë se nuk është informuar se kolona e ndihmave do të kalojë në atë pjesë, dhe e ka sulmuar sepse nuk ka ndaluar.
Sipas ushtrisë asnjë person nuk është lënduar. Rasti po hetohet.
Që nga viti 2021 Birmania është në luftë civile, pasi ushtria e ka marrë pushtetin përmes grusht shtetit, dhe ka hasur në rezistencë nga disa grupe etnike dhe forcat prodemokratike. Edhe pse tërmeti i së premtes ka shkaktuar katastrofë humanitare, ushtria nuk i ka ndaluar sulmet ndaj caqeve kundërshtare edhe në zonat e prekura nga tërmeti.