Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka vrarë një komandant të Forcave Radwan të Hezbollahut në Libanin jugor.
Ali Ahmad Hussein është një nga militantët më të vjetër të vrarë që kur Izraeli dhe Hezbollahu filluan luftën në Gaza, raporton AP.
Vrasja e tij vjen në kohën kur tensionet rajonale janë përshkallëzuar pas sulmit izraelit ndaj Konsullatës së Iranit në Siri.
Ushtria izraelite ka thënë se dy militantë të tjerë të Hezbollahut kanë mbetur të vrarë gjithashtu në sulmin e së hënës.
Grupi militant Hezbollah ka njoftuar për vdekjen e Ali Ahmad Husseinit, por nuk ka dhënë asnjë detaj mbi rrethanat apo rolin e tij brenda grupit.
Ai u vra si pasojë e një sulmi ajror izraelit në fshatin jugor libanez të Sultaniyehit, sipas ushtrisë izraelite.
Husseini ishte përgjegjës për kryerjen e sulmeve në veri të Izraelit, bazuar në një deklaratë të Ushtrisë së Izraelit.
Militantët e Hezbollahut dhe trupat izraelite janë duke luftuar përgjatë kufirit Liban-Izrael që nga 8 tetori.
Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë lëshimin e raketave sapo të arrihet një armëpushim që do t’i jepte fund luftës Izrael-Hamas.
Zyrtarët izraelitë kanë kërkuar që Forcat Radwan të tërhiqen nga zona kufitare në mënyrë që të lejojnë dhjetëra mijëra izraelitë të zhvendosur të kthehen në shtëpi.