Botë

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë pesë militantë në Bregun Perëndimor, përfshirë një komandant

Ushtria izraelite në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite në Bregun Perëndimor

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë pesë militantë të tjerë palestinezë në një operacion në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor, herët të enjten, duke përfshirë një komandant të njohur lokal.

Mirëpo nuk ka ende një konfirmim palestinez për vdekjen e Mohammed Jaber, i njohur si Abu Shujaa, një komandant i grupit militant të Xhihadit Islamik në kampin e refugjatëve Nur Shams, në periferi të qytetit Tulkarem, raporton The Guardian.

Ai u bë një hero për shumë palestinezë në fillim të këtij viti kur u raportua i vrarë në një operacion izraelit, e më pas kishte bërë një paraqitje befasuese në funeralin e militantëve të tjerë.

Ushtria ka thënë se ai është vrarë së bashku me katër militantë të tjerë në një shkëmbim zjarri me forcat izraelite herët të enjten, pasi të pesë ishin fshehur brenda një xhamie. Sipas ushtrisë, Abu Shujaa ishte i lidhur me sulme të shumta ndaj izraelitëve, duke përfshirë një sulm vdekjeprurës në qershor, dhe po planifikonte edhe më shumë.

Ushtria ka thënë se një tjetër militant është arrestuar në operacionin në Tulkarem dhe se një anëtar i Policisë Kufitare paraushtarake të Izraelit është plagosur lehtë.