Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka gjetur trupat e pesë izraelitëve të marrë në Gaza si pengje, gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, më 7 tetor.
Trupat e mësueses së kopshtit Maya Goren si dhe të ushtarëve Major Ravid Aryeh Katz, Master Rreshter Oren Goldin, dhe rreshterëve Tomer Ahimas dhe Kiril Brodski u gjetën gjatë një operacioni në zonën Khan Younis, raporton BBC.
Ushtria ka thënë se kishte zbuluar se Goren ishte vrarë në robëri, ndërsa ushtarët ishin vrarë në luftime më 7 tetor dhe trupat e tyre më pas ishin rrëmbyer.
Njoftimi nënkupton se 111 nga 251 personat e marrë peng më 7 tetor po mbahen ende në Gaza, duke përfshirë 39 për të cilët ushtria thotë se supozohet se janë të vdekur.
Të mërkurën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu iu referua shpesh fatit të pengjeve në fjalimin e tij në Kongresin Amerikan, por ai nuk specifikoi nëse një marrëveshje me Hamasin për të siguruar lirimin e tyre në këmbim të një armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve ishte afër.
"Ndërsa flasim, ne jemi aktivisht të angazhuar në përpjekje intensive për të siguruar lirimin e tyre”, ka thënë Netanyahu në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë.