Botë

Ushtria izraelite gjen trupin e një pengu në Gaza

Yousef Zyadna

Yousef Zyadna

Ushtria izraelite ka thënë se ka gjetur trupin e një arabi beduin, peng i mbajtur nga Hamasi në Gaza, si dhe prova që sugjerojnë se një tjetër mund të jetë gjithashtu i vdekur.

Trupi i Yousef Zyadna, 53 vjeç, është gjetur në një tunel nëntokësor në zonën jugore të Rafah të martën, raporton BBC.

Lajmi për Yousef Zyadna erdhi pak përpara se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, t'u thoshte gazetarëve se ndërmjetësit e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit janë "shumë afër" arritjes së një marrëveshjeje të re armëpushimi dhe lirimit të pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.

"Shpresoj se ne mund ta arrijmë këtë brenda kohës që kemi”, ka thënë ai duke iu referuar inaugurimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump më 20 janar.

Izraeli nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng. Izraeli thotë se 95 nga pengjet mbeten në Gaza, prej të cilëve 34 supozohen të vdekur.

Më shumë se 45,930 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë luftës 15-mujore, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit, të drejtuar nga Hamasi.