Ushtria izraelite ka njoftuar të mërkurën se forcat e saj kanë rifilluar edhe operacionet tokësore në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, gjersa dita e dytë e bombardimeve ajrore la të vdekur 20 palestinezë, sipas punëtoreve lokalë shëndetësorë.
Operacionet kanë zgjeruar kontrollin e Izraelit mbi korridorin Netzarim, me manovrën ushtarake që ka për qëllim të krijojë një zonë neutrale midis pjesës jugore dhe veriore të enklavës palestineze, raporton Reuters.
Rifillimi i operacioneve tokësore vjen një ditë pasi më shumë se 400 palestinezë u vranë gjatë njërit prej sulmeve më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftës, i cili theu armëpushimin e dakorduar në janar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se dy nga punëtorët e saj janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një kompleks në Gaza është goditur të mërkurën.
Fushata ushtarake izraelite ka vrarë më shumë se 49,000 njerëz në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, dhe ka shkaktuar një krizë humanitare me mungesë të ushqimit, karburantit dhe ujit.
Izraeli ka akuzuar Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore.
Hamasi e mohon këtë dhe akuzon Izraelin për bombardime të papërshtatshme mbi popullatën civile.