Ushtria izraelite e ka pranuar se forcat e saj kanë shkelur protokollin duke lidhur një palestinez të plagosur në pjesën e përparme të automjetit të tyre, gjatë një bastisjeje në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) e konfirmuan incidentin pasi ngjarja ishte xhiruar nga dikush tjetër dhe ishte shpërndarë në mediat sociale. Në deklaratën e IDF-së thuhet se burri u plagos në një shkëmbim zjarri gjatë bastisjes, në të cilën ai ishte i dyshuar, raporton BBC.
Familja e të plagosurit ka thënë se kur kërkuan një ambulancë, ushtria e mori atë, e lidhi në pjesën e përparme të xhipit të tyre dhe u largua.
Personi përfundimisht u transferua në Gjysmëhënën e Kuqe për mjekim.
IDF-ja ka thënë se incidenti do të hetohej.
Dëshmitarët okularë duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters e identifikuan atë si një vendas dhe e quajtën si Mujahed Azmi.
"Këtë mëngjes (të shtunën), gjatë operacioneve kundër terrorizmit për kapjen e të dyshuarve të kërkuar në zonën e Wadi Burqin, terroristët hapën zjarr ndaj trupave të IDF-së, të cilët u përgjigjën me zjarr," thuhet në deklaratën e IDF.
“Gjatë shkëmbimit të zjarrit është lënduar dhe kapur njëri nga të dyshuarit. Në kundërshtim me urdhrat dhe procedurat standarde të operimit, i dyshuari është marrë nga forcat i lidhur në majë të një automjeti. Sjellja e forcave në videon e incidentit nuk është në përputhje me vlerat e IDF-së. Incidenti do të hetohet dhe do të trajtohet në përputhje me rrethanat”, thuhet më tej në deklaratë.
Ka pasur një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, i shkaktuar nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
OKB-ja thotë se të paktën 480 palestinezë, anëtarë të grupeve të armatosura, sulmues dhe civilë - janë vrarë në incidente të lidhura me konfliktin në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor.
