Botë

Ushtria e rebelëve të Birmanisë e gatshme për dialog me juntën

Birmani

Foto: Associated Press

Ushtria e pakicave etnike që është pjesë e aleancës së frikshme rebele, e cila po e lufton ushtrinë në pushtet të Birmanisë, ka shpallur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me juntën, pas betejës njëvjeçare përgjatë kufirit Birmani-Kinë, raporton Reuters.

Vendimi i Ushtrisë Kombëtare të Lirisë “Ta’ang” (TNLA), i shpallur të hënën vonë, vjen pas presionit të Kinës mbi rebelët në mes të shpartallimit të shpejtë të ushtrisë, të cilën Pekini e ka parë prej kohësh si garantues të stabilitetit.

Birmania ka qenë në luftime, që kur ushtria ka rrëzuar qeverinë e zgjedhur e të udhëhequr nga ikona e demokracisë, Aung San Suu Kyi në vitin 2021, duke shkaktuar lëvizje të rezistencës që ka nisur me protesta paqësore dhe më vonë është kthyer në rebelim të armatosur në disa fronte.

TNLA-ja në një deklaratë në kanalin zyrtar në Telegram, ka thënë se dëshiron ndalimin e sulmeve ajrore të ushtrisë në rajonin e saj në shtetin verior Shan. Gjithashtu ka shprehur dëshirën për bisedime dhe vlerësimin e saj për përpjekjet ndërmjetësuese të Kinës.

“Civilët tanë po vuajnë nga sulmet ajrore dhe vështirësitë e tjera. Prandaj, duhet ta gjejmë një mënyrë për t’i dhënë fund”, ka thënë zëdhënësi i TNLA-së, Lway Yay Oo.

TNLA-ja është pjesë e një ofensive të koordinuar të nisur vitin e kaluar të quajtur “Operacioni 1027”, i cili është bërë sfida më e madhe për gjeneralët e Birmanisë që nga grushtshteti i tyre, duke rezultuar në humbjen e disa qyteteve dhe posteve ushtarake.