Botë

Ushtria e Libanit, vëzhguese e luftës në territorin e vet

Libani

Foto: Associated Press

Me arsenal të vjetruar dhe pa mbrojtje ajrore, dhe e goditur nga kriza ekonomike pesëvjeçare, ushtria kombëtare nuk është e përgatitur për ta mbrojtur Libanin as nga bombardimet ajrore, e as nga një ofensivë tokësore nga një ushtri moderne e pajisur mirë si ajo e Izraelit

Qëkur Izraeli filloi pushtimin tokësor të Libanit, forcat izraelite dhe militantët e Hezbollahut kanë luftuar përgjatë kufirit, ndërsa ushtria libaneze ka qëndruar kryesisht mënjan.

Nuk është hera e parë që ushtria kombëtare e gjen veten në mes të një lufte tjetër, por në shtëpi të vet, e vetë qëndron vetëm si vëzhguese.

Ushtria me popullaritet të madh është një nga institucionet e pakta që lidh ndarjet e thella shoqërore e politike të vendit. Disa komandantë të ushtrisë janë bërë president dhe komandanti aktual, Gjeneral Joseph Aoun, konsiderohet si një pretendent.

Por me një arsenal të vjetruar dhe pa mbrojtje ajrore, dhe e goditur nga kriza ekonomike pesëvjeçare, ushtria kombëtare nuk është e përgatitur për ta mbrojtur Libanin as nga bombardimet ajrore, e as nga një ofensivë tokësore nga një ushtri moderne e pajisur mirë si ajo e Izraelit.

Ushtria është ushtarakisht nën hijen e Hezbollahut. Ushtria libaneze ka rreth 80,000 pjesëtarë, me rreth 5,000 prej tyre të dislokuar në jug. Hezbollahu ka më shumë se 100,000 luftëtarë, siç thoshte lideri tashmë i ndjerë i grupit militant, Hassan Nasrallah. Arsenali i tij, i ndërtuar me mbështetjen e Iranit, është gjithashtu më i avancuar.

Përgjigjja e kujdesshme

Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hezbollahut kanë luftuar që nga 8 tetori 2023, kur grupi militant libanez filloi të gjuante raketa në mbështetje të aleatit të tij, Hamas, në Gazë.

Javët e fundit, Izraeli ka realizuar bombardim të madh ajror të Libanit dhe pushtim tokësor për të cilin thotë se synon ta largojë Hezbollahun nga kufiri dhe t’i lejojë banorët e zhvendosur të Izraelit verior të kthehen.

Teksa trupat izraelite bënë sulmet e tyre të para përtej kufirit dhe Hezbollahu u përgjigj me raketa, ushtarët libanezë u tërhoqën nga pikat e vëzhgimit përgjatë kufirit dhe u rivendosën rreth 5 kilometra mbrapa.

Deri më tani, forcat izraelite nuk kanë avancuar aq thellë. Përleshjet e vetme të drejtpërdrejta midis dy ushtrive kombëtare ishin më 3 tetor, kur zjarri i tankeve izraelite goditi një pozicion të ushtrisë libaneze në zonën e Bint Jbeilit duke vrarë një ushtar, dhe të premten, kur dy ushtarë u vranë në një sulm ajror në të njëjtën zonë. Ushtria libaneze ka lëshuar më pas një deklaratë përmes së cilës njoftonte se i ishte përgjigjur zjarrit.

Ushtria e Libanit nuk ka pranuar të komentojë se si do të reagojë nëse forcat tokësore izraelite përparojnë më tej.

Analistët që njohin funksionimin e ushtrisë kanë thënë se nëse inkursioni izraelit arrin në pozicionet aktuale të ushtrisë, trupat libaneze do të nisnin luftimet, por që do të ishin të kufizuara.

“Misioni natyror dhe automatik i ushtrisë është ta mbrojë Libanin kundër çdo ushtrie që mund të hyjë në territorin libanez”, ka deklaruar ish-gjenerali i ushtrisë libaneze Hassan Jouni. “Sigurisht, nëse armiku izraelit hyn, ushtria do të mbrohet, por brenda mundësive të disponueshme, pa shkuar deri në pikën e pakujdesisë ose vetëvrasjes”, ka shtuar ai.

Shpërputhja 

Ndërhyrja aktuale e Izraelit në Liban është e katërta në vendin fqinj në 50 vjetët e fundit. Në shumicën e pushtimeve të mëparshme, ushtria libaneze luajti rol të ngjashëm periferik.

Një përjashtim, sipas Aram Nerguizianit, bashkëpunëtor i lartë me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Washington, ishte në vitin 1972, kur Izraeli u përpoq të krijonte një zonë mbrojtëse prej 20 kilometrash për të larguar luftëtarët e Organizatës Çlirimtare Palestineze. Në atë kohë, siç ka thënë Nerguizian, ushtria libaneze pati ngadalësuar me sukses ritmin e përparimit izraelit dhe “kishte blerë kohë për udhëheqjen politike në Bejrut për të kërkuar ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për të bërë presion mbi Izraelin për armëpushim”.

Por situata e brendshme në Liban - dhe aftësitë e ushtrisë - u përkeqësuan me shpërthimin e një lufte civile 15-vjeçare në vitin 1975, gjatë së cilës forcat izraelite dhe siriane pushtuan pjesë të vendit.
Hezbollahu ishte i vetmi fraksion që u lejua të mbante armët e veta pas luftës civile, për qëllimin që t’i rezistojë pushtimit izraelit të Libanit jugor - i cili përfundoi në vitin 2000.

Deri në vitin 2006, kur Hezbollahu dhe Izraeli luftuan luftë të mprehtë njëmujore, ushtria libaneze “nuk ishte në gjendje të investonte në modernizim të botës reale të pasluftës, nuk kishte aftësi që të pengonte fuqinë ajrore izraelite” dhe “u la plotësisht e ekspozuar”, ka thënë Nerguizian. “Në pak herë që (ushtria libaneze) dhe forcat izraelite u angazhuan ushtarakisht, pati një shpërputhje totale”.
Mst: Ndihmat e diskutueshme 

Pas shpërthimit të luftës civile në vitin 2011 në Sirinë fqinje dhe rritjes së grupit militant të Shtetit Islamik atje, ushtria libaneze përjetoi fluks të ri ndihmash ushtarake. Ajo luftoi me sukses kundër IS-it në kufirin e Libanit në vitin 2017, edhe pse jo i vetëm pasi edhe Hezbollahu po sulmonte në të njëjtën kohë grupin në anën tjetër të kufirit.

Kur sistemi financiar dhe monedha e Libanit ranë në vitin 2019, ushtria mori një goditje. Ajo nuk kishte buxhet për të blerë armë dhe për të ruajtur furnizimet, automjetet dhe avionët ekzistues. Paga mesatare e një ushtari tani është rreth 220 dollarë në muaj dhe shumë prej tyre bëjnë punë të dytë. Një kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë dhënë të dyja subvencione mujore për pagat e ushtarëve atje.

SHBA-ja kishte qenë financuesi kryesor i ushtrisë libaneze përpara krizës. Ajo ka dhënë rreth 3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga viti 2006, sipas Departamentit të Shtetit, i cili ka thënë në një deklaratë se synon “të mundësojë që ushtria libaneze të jetë forcë stabilizuese kundër kërcënimeve rajonale” dhe “të forcojë sovranitetin e Libanit, të sigurojë kufijtë e tij kundër kërcënimeve të brendshme dhe të pengojë lehtësimin e veprimit të terroristëve”.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden e ka quajtur gjithashtu ushtrinë libaneze si pjesë kyçe të çdo zgjidhjeje diplomatike për luftën aktuale, me shpresën se rritja e pranisë së forcave të saj do ta zëvendësonte Hezbollahun në zonën kufitare.

Por kjo mbështetje ka kufij. Ndihma për ushtrinë libaneze ka qenë ndonjëherë politikisht e diskutueshme brenda SHBA-së, pasi disa ligjvënës argumentojnë se ajo mund të bjerë në duart e Hezbollahut, megjithëse nuk ka ende ndonjë provë që kjo ka ndodhur.

Në Liban, shumë besojnë se SHBA-ja e ka bllokuar ushtrinë nga marrja e armatimeve më të avancuara që mund ta lejojnë atë të mbrohet kundër Izraelit, që është aleati më i fortë i Amerikës në rajon dhe marrësi i të paktën 17.9 miliardë dollarëve në ndihmë ushtarake amerikane që nga viti kur lufta filloi në Gazë.

“Është mendimi im personal se Shtetet e Bashkuara nuk lejojnë ushtrinë libaneze të ketë pajisje të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe kjo çështje lidhet me Izraelin”, ka deklaruar Walid Aoun, gjeneral i pensionuar dhe analist ushtarak.

Ndërkaq Nerguizian ka thënë se perceptimi nuk është “ndonjë konspiracion apo gjysmë e vërtetë”, duke vënë në dukje se SHBA-ja ka miratuar një kërkesë ligjore për të mbështetur avantazhin ushtarak cilësor të Izraelit në krahasim me të gjitha ushtritë e tjera në rajon.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë kryer sulme ndërkufitare që nga 8 tetori, ditës kur ka nisur lufta në Gaza, si pasojë e sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, gjatë të cilit u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng rreth 250 të tjerë.

Tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit janë shtuar pas shpërthimit të mijëra pejxherëve dhe radiolidhjeve të anëtarëve të Hezbollahut nga mesi i shtatorit, për të cilin grupi ka fajësuar Izraelin. Një numër i madh i njerëzve kanë vdekur si pasojë e shpërthimeve që ndodhën në Liban dhe Siri. 

Izraeli ka nisur më pas të sulmonte me raketa edhe kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke synuar anëtarët e Hezbollahut, teksa më 27 shtator nga një sulm ajror ka lënë të vdekur liderin e grupit të mbështetur nga Irani, Hassan Nasrallah.

Vrasja e tij ka nxitur reagimin e Iranit, i cili u zotua menjëherë për hakmarrje. Më 1 tetor, shteti iranian lëshoi qindra raketa në drejtim të Izraelit, mirëpo shumica prej tyre janë neutralizuar edhe me ndihmën e SHBA-së. Autoritetet izraelite nuk kanë bërë të ditur për pasoja në njerëz si pasojë e sulmit.

Shteti izraelit është zotuar se do të hakmerret ndaj Iranit, mirëpo ende nuk dihet se si do të jetë forma e hakmarrjes.

Numri i të vdekurve në Liban si pasojë e sulmeve izraelite që nga 8 tetori ka arritur në mbi 2,000, sipas autoriteteve libaneze. Numri më i madh i këtyre viktimave janë shënuar në tri javët e fundit. Qindra mijëra banorë në jug të Libanit dhe po ashtu në Bejrut dhe pjesë të tjera janë detyruar të evakuohen për në veri të shtetit apo edhe në shtetin fqinj, Siri.