Botë

Ushtria britanike në gatishmëri për evakuim potencial të qytetarëve nga Libani

Liban

Foto: Getty

Më shumë se një mijë ushtarë britanikë janë vënë në gatishmëri në rast se shtetasit britanikë duhet të evakuohen nga Libani.

Përgatitjet po bëhen në përgjigje të një paralajmërimi nga qeveria se situata në Lindjen e Mesme shpejt mund të përkeqësohet.

Qeveria britanike ka bërë thirrje të vazhdueshme për shtetasit e saj që të largohen nga Libani, teksa ka konfirmuar përgatitjet ushtarake në rast evakuimi, raportoi BBC. 

Llogariten se janë rreth 16,000 britanikë që jetojnë aktualisht në Liban.

Qindra trupa janë dërguar në Qipro. Ndërkohë, në Britani qindra trupa të tjerë janë vënë në gatishmëri – që nënkupton se janë të gatshëm të vendosen në rajon nëse është e nevojshme.

Tensionet janë ngritur në Lindjen e Mesme që prej sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Rreth 1,200 persona ishin vrarë, duke nxitur një përgjigje masive ushtarake të Izraelit në Gaza.

Të paktën 39,480 palestinezë janë vrarë që nga atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi.