Botë

Musk thotë se Trumpi është pajtuar për mbylljen e USAID-it

Donald Trump dhe Elon Musk

Foto: Associated Press

Përditësuar (15:16) - Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka rënë dakord që Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) duhet të mbyllet"

Deklarata e tij vjen pas disa ditësh spekulimesh mbi të ardhmen e agjencisë, pasi financimi i saj u ngri dhe dhjetëra punonjës të saj u larguan për një periudhë të pacaktuar, raporton CNN.

“Për sa i përket çështjeve të USAID-it, unë e diskutova atë me (presidentin) në detaje dhe ai ra dakord që ne duhet ta mbyllim atë”, ka thënë Musk në një bisedë në X herët të hënën.

Musk ka deklaruar se ai ka kontaktuar me Trumpin "disa herë" dhe Trumpi e ka konfirmuar se dëshiron të mbyllë agjencinë, e cila shpërndan miliarda ndihma humanitare dhe fonde zhvillimi çdo vit. 


USAID-i urdhëron punëtorët të qëndrojnë jashtë

Punonjësit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) u udhëzuan të qëndronin jashtë selisë së agjencisë në Washington të hënën, pasi miliarderi Elon Musk njoftoi se presidenti Donald Trump kishte rënë dakord me të për të mbyllur agjencinë.

Punonjësit e USAID-it kanë thënë se kishin kuptuar se 600 punonjës ishin larguar nga sistemet kompjuterike të agjencisë gjatë natës. Ata që ishin ende në sistem morën emaile ku thuhej se "nën drejtimin e udhëheqjes së Agjencisë" ndërtesa e selisë "do të mbyllet për personelin e Agjencisë të hënën, 3 shkurt", raporton AP.

Zhvillimet vijnë pasi Musk, i cili drejton një rishikim të jashtëzakonshëm civil të qeverisë federale në administratën "Trump 2", kishte deklaruar herët të hënën se ai kishte folur me Trumpin për agjencinë e ndihmës dhe zhvillimit të SHBA-së, dhe se ai kishte rënë dakord që ajo duhet të mbyllej.

“Duket qartë që nuk është një mollë me një krimb në të. Ajo që kemi është një grumbull krimbash. Duhet hequr qafe të gjithën. Është përtej riparimit. Po e mbyllim atë”, kishte deklaruar Musk në X.

Komentet e Muskut erdhën pasi administrata pushoi nga puna dy shefat e lartë të sigurisë në USAID pasi ata refuzuan të dorëzonin materiale të klasifikuara në zona të kufizuara, tek ekipet e inspektimit të departamentit të Muskut, ka thënë një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan për Associated Press të dielën.

Anëtarët e Departamentit të Efiçencës Qeveritare të Muskut, i njohur si DOGE, arritën qasje të shtunën në informacionin e klasifikuar të agjencisë së ndihmës, i cili përfshin raportet e inteligjencës, ka thënë ish-zyrtari.

“USAID është një organizatë kriminale. Koha që ajo të vdesë”, kishte shkruar Musk po ashtu në X.