Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po largohen nga ndihma e huaj. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar shkurtime në programet e saj të ndihmës, ashtu si edhe Zvicra. Ka të ngjarë që edhe vende të tjera ta ndjekin shembullin. Është një realitet i hidhur për Bangladeshin. Qeveria e Bangladeshit u rrëzua vitin e kaluar dhe ekonomia është e lëkundur, me inflacion afër 10% dhe një krizë të vendeve të punës, që prek veçanërisht të rinjtë
Kur Kajol u sëmur nga tuberkulozi në janar, USAID e mbajti atë në jetë. Tani ajo dhe familja e saj janë sërish në rrezik pasi administrata e Donald Trump urdhëroi që shumica e shpenzimeve të ndihmës amerikane jashtë vendit të ndalonin.
Tuberkulozi mund të jetë fatal nëse nuk trajtohet. Sëmundja bakteriale shumë ngjitëse, e cila prek mushkëritë, nuk është e përhapur në vendet e pasura, sepse trajtimi është relativisht i lirë. Por në Bangladesh është një fatkeqësi.
Këtë e vërteton edhe lagjja Mohammadpur, lagje e varfër në kryeqytetin Dhaka, ku jeton Kajol, 17-vjeçare.
“Ne jemi njerëz të varfër”, thotë ajo.
Ajo punon për ta siguruar ushqimin për veten, nënën dhe vëllain e vogël. Puna e saj në një fabrikë veshjesh i mban të gjithë ata gjallë.
Pra, kur ajo u sëmur në janar, situata mund të kishte qenë katastrofale.
Për fat të mirë atëkohë, ndihma mbërriti përmes Dipa Halderit. Për tre vjetët e fundit, ajo ka kontrolluar banorët e Mohammadpurit për tuberkulozin dhe është siguruar që njerëzit ta marrin, pa kosto trajtimin që kanë aq shumë nevojë.
Nisma, e cila i teston njerëzit dhe u jep trajtimin që u nevojitet, duke përfshirë ushqimin e duhur, drejtohet nga një organizatë lokale humanitare, Nari Maitree. Ajo financohej nga Agjencia Amerikane për Ndihmë Ndërkombëtare (USAID) deri në shkurt. Por në shkurt mori një letër nga Qeveria amerikane që thoshte se fondet ishin ndërprerë.
Kjo solli një përfundim të papritur të trajtimit të Kajolit. Trajtimi kishte përfunduar vetëm pjesërisht.
Ndërprerja e barnave në mes të trajtimit i bën shumë më të mëdha shanset që tuberkulozi të bëhet rezistent ndaj ilaçeve. Kjo e bën sëmundjen shumë më të vështirë për t’u luftuar dhe i vë pacientët në rrezik më të madh për përkeqësim të sëmundjes, e cila çon deri në vdekje.
Diagnostikimi dhe sigurimi i ilaçeve mund të jetë një kosto e lartë për shumë njerëz.
“Tani më duhet të shkoj t’i marr vetë ilaçet”, thotë ajo. “Po luftoj jashtëzakonisht shumë”.
“Njerëzit këtu janë mjaft të cenueshëm”, thotë Dipa, 21 vjeçe. “Krejt çfarë mund të bëj është t’u them atyre të shkojnë te një mjek i caktuar, i cili do t’i ndihmonte të kursenin disa para. Ose mundohem t’u jap ndonjë ndihmë financiare nga organizata jonë, në mënyrë që ata të vazhdojnë trajtimin e tyre”.
Mbështetja e njerëzve në USAID
Sipas një raporti të performancës së qeverisë amerikane, të parë nga BBC-ja, mbështetja nga USAID-i në vitin 2023 rezultoi drejtpërdrejt në identifikimin dhe raportimin e më shumë se një çerek milioni raste të reja të tuberkulozit në Bangladesh.
Agjencia u pa si pjesë përbërëse e luftës së vendit kundër tuberkulozit.
“Kur i pyesni njerëzit në rrugë, ata thonë se Shtetet e Bashkuara po e mbajnë tuberkulozin nën kontroll”, ka thënë një drejtor i një projekti të USAID-it në Bangladesh, i cili nuk është i autorizuar të flasë publikisht.
“Bangladeshi ishte programi më i madh i USAID-it në Azi”, thotë Asif Saleh, drejtor ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse BRAC. “Për sa i përket ndikimit të tij, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, ai ka qenë masiv. Veçanërisht rreth vaksinimit, uljes së vdekshmërisë së fëmijëve, USAID ka luajtur një rol masiv në këtë vend”.
Në vitin 2024, Bangladeshi mori 500 milionë dollarë ndihmë të huaj. Këtë vit, kjo shumë ka arritur në 71 milionë dollarë.
Në periudhën trevjeçare nga 2021-2023, USAID-i përdori mesatarisht 83 milionë dollarë në vit në Bangladesh vetëm për iniciativat shëndetësore, duke përfshirë luftën kundër tuberkulozit.
Ndërprerjet në USAID kanë bërë që Nari Maitree të mos mund të ofrojë ndihmë më me programin e tij “Stop TB”, por kjo nënkuptonte gjithashtu se Dipa është pa punë. Ajo kujdeset për prindërit e saj të moshuar dhe motrën më të vogël.
“Jam plotësisht e shkatërruar tani që kam humbur punën. Unë mbaj barrën e familjes. Të jesh e papunë është një situatë shkatërruese”, tha ajo për BBC-në.
Në një dokument të parë nga BBC, 113 programe që financoheshin drejtpërdrejt nga zyra e USAID-it në Bangladesh, janë ndalur.
“Sektori i OJQ-ve në Bangladesh punëson të paktën 500 mijë njerëz”, thotë Saleh. “Është numër i madh. Mijëra e mijëra vende pune do të eliminohen”.
Largimi i shteteve të tjera
Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po ndalojnë ndihmën e huaj. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar shkurtime në programet e saj të ndihmës, ashtu si edhe Zvicra. Ka të ngjarë që edhe vende të tjera ta ndjekin shembullin.
Është një realitet i hidhur për Bangladeshin. Qeveria e vendit u rrëzua vitin e kaluar dhe ekonomia është e lëkundur, me inflacion afër 10% dhe një krizë të vendeve të punës, që prek veçanërisht të rinjtë.
Udhëheqësi i përkohshëm, Muhammad Yunus, thotë se Bangladeshi do të dalë me një strategji të re se si të mbijetojë pas shkurtimeve të ndihmës – por nuk thotë se si.
Kur u pyet nga BBC se si vendi do ta mbulojë mungesën nga USAID, Yunus tha: “Ishte një pjesë e vogël, jo një punë e madhe. Kjo nuk do të thotë se Bangladeshi do të zhduket nga harta”.
Asif Saleh thotë se mënyra se si janë zbatuar shkurtimet ka qenë e papritur dhe ka shkaktuar kaos. Ndikimi në një vend si Bangladeshi është i pamatshëm.
Askund nuk është më i qartë se në Cox's Bazar, një qytet bregdetar në Bangladeshin juglindor, shtëpia më e madhe e refugjatëve në botë. Më shumë se një milion pjesëtarë të komunitetit Rohingya, komunitet i persekutuar i pakicës myslimane që Kombet e Bashkuara i quajnë viktima të spastrimit etnik, u larguan nga spastrimet e dhunshme në vendin e tyre, Birmani.
Në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi dhe në pamundësi për të punuar jashtë kampit të refugjatëve, Rohingyat varen nga ndihma ndërkombëtare për mbijetesën e tyre.
Shtetet e Bashkuara kontribuuan pothuajse gjysmën e të gjithë ndihmës për refugjatët Rohingya.
“Na ka mbaruar sapuni”, thotë Rana Flowers, përfaqësuese e vendit për agjencinë e OKB-së për fëmijë, UNICEF. “Tani duhet të dërgojmë ujë me kamion në kampe. Është kohë absolutisht kritike. Ka një shpërthim kolere me mbi 580 raste, së bashku me një shpërthim zgjebe”.
Projektet e kanalizimeve të ujit në kampe më parë financoheshin nga USAID.
Rritet shqetësimi i banorëve
Meqenëse urdhri për të ndaluar punën hyri në fuqi në fund të janarit, spitalet, si ai i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Cox's Bazar, ofrojnë vetëm ndihmën urgjente.
Çdo shpresë se paratë do të riktheheshin u shkatërrua kur administrata Trump anuloi më shumë se 80% të të gjitha programeve të USAID.
Pacientët si Hamida Begum, e cila merrte rregullisht trajtim për hipertensionin, mbeten me pak mundësi.
“Jam plakur dhe nuk kam njeri që të më ndihmojë”, thotë ajo. Burri i saj vdiq vitin e kaluar, duke e lënë atë të kujdeset vetëm për katër fëmijët e saj, përfshirë vajzën e saj 12-vjeçare që nuk mund të ecë.
“Nuk mund të shkoj në një spital tjetër larg shtëpisë për shkak të vajzës sime”.
Në një qendër të afërt të shpërndarjes së ushqimit, që menaxhohet nga agjencia e ndihmës e OKB-së, Rehana Begum qëndron pranë dy thasëve të mëdhenj.
Brenda, thotë ajo, ka gjashtë litra vaj gatimi dhe 13 kg oriz, së bashku me gjërat bazë si qepët, hudhrat dhe specat e tharë. Këto racione, të dhëna asaj nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), duhet t'i zgjasin asaj dhe familjes së saj një muaj.
E pyes si do t’ia dalë tani që racionet e saj do të përgjysmohen nga muaji tjetër.
Ajo dukej e tronditur. Pastaj, ajo filloi të qante.
“Si mund të mbijetojmë me një sasi kaq të vogël?”- pyet Rehana, 47 vjeçe, e cila ndan një dhomë me burrin dhe pesë fëmijët e saj. “Edhe tani është e vështirë të menaxhohet”.
WFP-ja thotë se u detyrua të bënte shkurtimin drastik për shkak të “një mungese kritike financimi për operacionet e saj”.
“Kjo është një fatkeqësi absolute në zhvillim”, thotë Rana Flowers nga UNICEF.
“Njerëzit në kampe janë fort të shqetësuar, e ne nuk do të jemi më në gjendje për t’i ndihmuar”.