Botë

Uria po përdoret si armë lufte në Birmani

Ndihmat ne Birmani

Foto: CNN

Teksa po vazhdon lufta mes milicive dhe ushtrisë në Birmani, dëshmitë nga punonjësit e ndihmave sugjerojnë se uria është duke u përdorur si armë lufte në shtetin Rakhine. Kriza humanitare është akute, ku ka mungesë të ushqimeve dhe ilaçeve, meqë junta është duke e ndaluar futjen e ndihmave në zonat e kontrolluara nga grupi i armatosur “Ushtria Arkan”, përmes mbylljes së vendkalimeve, bllokimit të rrugëve dhe refuzimit të qasjes së grupeve humanitare

Khin Mar Cho shqetësohet për djalin e saj 4-vjeçar teksa përpiqet të mbledhë mjaftueshëm ushqim në një kamp të të zhvendosurve në një manastir në perëndim të Birmanisë.

Ushtarët kanë hyrë në fshatin e tyre, Byine Phyu, në shtetin Rakhine dhe e kanë detyruar të largohej nga shtëpia së bashku me anëtarët e tjerë të familjes. Ata kanë arrestuar të gjithë burrat dhe kanë qëlluar vëllain e saj dhe fqinjët, ka thënë ajo.

Të mbijetuarit si Khin Mar Cho janë larguar drejt manastirit. Atje një murg i vetëm po përpiqet t’i ushqejë rreth 300 njerëz që janë strehuar në kamp, teksa intensifikohet lufta civile, e nisur nga junta ushtarake e Birmanisë kundër rezistencës së armatosur.

“Ka ditë kur nuk kemi ushqim”, ka thënë Khin Mar Cho. “Nuk mund ta ushqej djalin me gjë tjetër përpos racioneve të dhuruara nga njerëzit, sepse nuk punoj, s’kam të ardhura dhe të gjithë burrat e  familjes janë marrë nga ushtria”.

Dëshmi nga disa punonjës të ndihmave sugjerojnë se uria është duke u përdorur si armë lufte në shtetin Rakhine.

Junta është duke e ndaluar futjen e ndihmës përmes mbylljes së vendkalimeve, bllokimit të rrugëve tokësore dhe ujore dhe është duke refuzuar qasjen e grupeve humanitare, kanë treguar disa zyrtarë të OKB-së dhe punonjës vendorë dhe ndërkombëtarë të ndihmave në Rakhine. 

Rakhine është bërë pika kryesore e konfliktit, ku një grupi rebel i armatosur, Ushtria Arkan (AA) – që akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut – ka marrë nën kontroll të paktën 10 nga qytetet e shtetit që nga nëntori, pas prishjes së marrëveshjes për armëpushim me ushtrinë.

Zyrtarët e ndihmave kanë thënë se junta po e përdor “kequshqyerjen” e civilëve në territorin e AA-së, duke përdorur taktika që janë përshkruar si krime lufte dhe kundër njerëzimit nga zyrtarët e OKB-së dhe grupet e të drejtave.

“Ata po përdorin ushqimin si armë”, ka thënë një zyrtar i lartë. “Kjo është mjaft e qartë”.

Në një deklaratë, Myint Kyaw, zëvendëssekretari i Ministrisë së Informacionit të Birmanisë, tha se grupet rebele të supozuara – jo junta – janë duke e kufizuar “qasjen e njerëzve” në territoret që ata kontrollojnë.

“Qeveria e Birmanisë është e vendosur që të ketë barazi në mesin e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Kyaw. “Çdo qytetar ka të drejtën të udhëtojë lirshëm pa kufizime”.

Rreziku i vdekjeve nga uria

Punonjësit e ndihmës thonë se nuk e dinë shkallën e plotë të problemit për shkak të bllokimeve të rrjetit telefonik dhe internetit, së bashku me kufizimet e qasjes në zonat e prekura. Por thonë se kriza është akute.

Situata në vend është e rëndë, por në Rakhine – që varet nga ndihmat ushqimore – OKB-ja thotë se më pak se vetëm një çerek i 873 mijë njerëzve që kanë nevojë për ushqim kanë marrë ndihma.

“Ka gjasë të madhe se më të cenuarit... mund të vdesin nëse nuk marrin mbështetje”, ka paralajmëruar OKB-ja në qershor. 

Banorët e zhvendosur në Rakhine kanë thënë se po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar dhe se familjet e tyre po përpiqen të përballen me dhunën e përshkallëzuar dhe mungesën e ushqimit dhe ilaçeve.
Çmimet për gjërat bazike, si orizi, karburanti dhe vaji për gatim, janë rritur për shkak të mungesave të shkaktuara nga kontrolli i rrugëve furnizuese nga junta prej qytetit më të madh të Birmanisë, Yangon, kanë thënë zyrtarët e ndihmës. Kërkesat për dërgesë të ndihmave janë duke u refuzuar, kanë shtuar ata.

Ndërkohë, prodhimi ushqimor në shtet ka rënë, me fermerët që parashikojnë 50 për qind rënie në të korrat e orizit këtë vit, ka raportuar mediumi i pavarur i Birmanisë “The Irrawaddy”.
Mohammed, baba 43-vjeçar i tre fëmijëve, ka jetuar në një kamp refugjatësh me familjen e tij në Sittwe që nga viti 2012, kur dhuna antimyslimane ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Luftimet e fundit nuk kanë arritur në Sittwe akoma, të cilën e kontrollon junta. Por që kur u hapën fronte të reja në luftën civile nga prishja e marrëveshjes për armëpushim, kushtet në kamp janë përkeqësuar në mënyrë drastike, ka thënë ai.

Fëmijët e Mohammedit ndjekin mësimet në një shkollë të vogël të improvizuar brenda kampit, por sipas tij është shumë e vështirë t’i ushqejë ëndrrat e tyre, kur mund t’i ushqejë vetëm me gjysmë tasi oriz.

“Fëmijët qanin dhe pyesnin ‘A nuk do të hamë sonte?’ Në këto momente, i dëshpëruar, shkoja te fqinjët për të kërkuar ushqim për fëmijët”, ka thënë Mohammedi. Por edhe fqinjët e tij janë të uritur, me pak ushqim për të ndarë.

Mohimi i qasjes

Shayna Bauchner, hulumtuese në “Human Rights Watch”, ka thënë se junta është duke i penguar dërgesat e ndihmave në Rakhine, duke i bllokuar rrugët, duke i sekuestruar ngarkesat e ndihmës dhe duke i konfiskuar furnizimet mjekësore.

“Teksa konflikti është shpërndarë në Rakhine, gjithashtu kemi parë edhe shkatërrimin e rrugëve dhe urave”, ka thënë ajo. “Rezultati është humbja e qasjes në këto vende”.

Grupet e ndihmave, duke përfshirë agjencitë e OKB-së, duhet të marrin “autorizim udhëtimi” nga qeveria e shtetit, para se të mund të qasen në territorin që junta e konsideron “zonë të kufizuar për udhëtime”, sipas zyrtarëve të ndihmave.

Në shkurt junta ka ndaluar lëshimin e gati të gjitha autorizimeve të udhëtimit në vendet e kontrolluara nga rebelët, shumica e të cilave ndodhen në Rakhinen veriore, sipas shtatë zyrtarëve të ndihmave.
Pa autorizim të udhëtimit është i pamundur kalimi përmes rrugëve të juntës, kanë thënë ata.
“Është e vështirë të negociosh për shkak se SAC nuk dëshiron që ndihmat të shkojnë në zonat e kontrolluara nga rebelët”, ka thënë një zyrtar i lartë i ndihmave, duke iu referuar Këshillit të Administratës Shtetërore (SAC), emri zyrtar i qeverisë së juntës. 

Në maj disa agjenci të ndihmave kanë marrë autorizim për kalim në Sittwe nga Yangoni. Dy anije me ngarkesa që mbanin oriz dhe ilaçe bazike kanë arritur në Sittwe dy muaj më vonë, por gjërat higjienike, madje edhe ato për foshnja nuk janë lejuar, ka raportuar OCHA. Ekipet akoma nuk kanë qasje në qytetet ose zonat e tjera.

“Asnjë autorizim zyrtar për udhëtim nuk u është dhënë partnerëve humanitarë për të zbatuar aktivitete jashtë Sittwes që nga nëntori i vitit 2023”, ka thënë një zyrtar i lartë i ndihmave.
Duke u përpjekur t’i japin fund bllokimit, zyrtarët e lartë të OKB-së kanë mbajtur bisedime joformale me zyrtarët e SAC-së muajin e kaluar në kryeqytetin e Birmanisë. Aty zyrtarët e kanë bërë të qartë se status-quo është e papranueshme. 

Junta u ka thënë grupeve humanitare se e kanë ndaluar qasjen në territorin e AA-së për shkak se aktivistët nuk mund të udhëtojnë sigurt në zonat që nuk i kontrollon ushtria. 

Por “ky është justifikim koti”, ka thënë një zyrtar. “Nuk na duhet junta për ta ruajtur sigurinë tonë”.
Punonjësit vendor të ndihmave, që janë kapur duke u përpjekur të dërgojnë pa leje ndihma dhe furnizime në territorin e kontrolluar nga junta, janë arrestuar. 

Zyrtarët dhe punonjësit e ndihmave kanë thënë se bllokimi nga junta është pjesë e një strategjie më të gjerë lufte e përdorur nga ushtria, e dizajnuar për ta ndalur mbështetjen e grupeve rebele, duke ndaluar ushqimin, ujin dhe kujdesin mjekësor.

Bauchneri, ka thënë se bllokimet janë “të qëllimshme dhe kanë për qëllim ta dëmtojnë popullatën, pra siç shihet është krim lufte”.

Myint Kyawi ka thënë se grupet humanitare janë “të lejuara të shkojnë në zonat e sigurta” pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe ka supozuar – pa prova – se grupet e rebelëve janë duke i bllokuar dërgesat e ndihmave.

Në deklaratë junta ka lidhur paqëndrueshmërinë në rajon me grupet e armatosura që dyshohet se merren me lojëra të fatit në internet, kultivimin dhe shitjen e drogave të paligjshme, trafikimin e qenieve njerëzore, mashtrimet në internet dhe dërgesa të paligjshme të armëve për “grupet terroriste” në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Por një zyrtar vendor i ndihmave që punon në veri të Rakhines ka thënë se junta po i “ndëshkon civilët” duke bllokuar importimet e ushqimit dhe ilaçeve. Ushqimi i limituar që ndodhet në shtet është shumë i shtrenjtë për shumicën, falë inflacionit të shkaktuar nga bllokimi, ka thënë ai.

“Njerëzit janë duke mbijetuar me pak... si oriz dhe kripë”, ka thënë Ejaz, pseudonim. “E kam parë me sytë e mi”.

Luftë dhe uri 

Shumë nga të zhvendosurit në Rakhine janë anëtarë të pakicës Rohingya, që janë persekutuar për dekada në vendin që ua mohon shtetësinë.

Jamila, 26-vjeçare, ish-banore e qytetit të Rohingyave në Buthidaung, afër kufirit me Bangladeshin, ka thënë se komuniteti është përballur me mungesë të ushqimit gjatë gjashtë muajve të fundit për shkak të luftimeve.

“Askush nuk ka sjellë ushqim. Junta i bllokon të gjitha rrugët. Ata bllokojnë kamionët e ndihmave”, ka thënë Jamila, nga kampi në Cox’s Bazar, Bangladesh.

Shumë dyqane janë bastisur nga luftëtarët dhe ushtarët, ka thënë ajo, dhe dyqanet që janë akoma të hapura marrin furnizime duke i kontrabanduar me çmime të larta nga kufiri me Bangladeshin.

Furnizimet e ushqimeve janë harxhuar teksa grupe të të zhvendosurve nga fshatrat përreth janë shpërngulur në Buthidaung për t’iu arratisur luftës dhe minave.

“Të gjithë ndihmonim”, ka thënë ajo. “Kam jetuar e rrezikuar dhe e uritur”.
Me pak ushqim dhe pa ilaçe, Jamila ka thënë se fëmijët e saj kanë vuajtur nga diarreja dhe vjellja. 
“Jam duke vuajtur nga alergjia. I tërë trupi më kruhet. Por nuk ka ilaçe, as trajtim”, ka thënë ajo.

Në maj, Ushtria Arakan ka thënë se ka pushtuar Buthidaungun. Aktivistët dhe të afërmit e banorëve i kanë akuzuar ushtarët e AA-së për vrasje, vjedhje dhe zjarrvënie në lagjet e Rohingyave, duke detyruar mijëra njerëz të shpërngulen.

Jamila ka thënë se luftëtarët janë futur në fshatin e saj, i kanë derdhur karburant në shtëpi dhe ia kanë vënë zjarrin, me familjen akoma brenda.

Ndërsa flakët kanë kapluar shtëpinë e tyre, ata janë përpjekur të merrnin me vete çka kanë mundur. Vjehërria e saj, në gjumë në katin e dytë, nuk kanë arritur të dilnin. Teksa ajo me familjen kanë vrapuar të arratiseshin, një plumb e ka goditur vëllain e saj të vogël. Ai nuk i mbijetoi sulmit.

Ajo ka ecur gjashtë ditë për ta arritur Bangladeshin, duke thënë se “kemi jetuar duke ngrënë gjethe të bananeve dhe duke pirë ujë të moçaleve”.

Në një deklaratë, AA-ja e ka mohuar zjarrvënien e Buthidaungut, duke thënë se “nuk shënjestron objekte joushtarake”.

Në fillim të këtij muaji, AA-ja është akuzuar për vrasjen e Rohingyave në sulme me dronë dhe artileri, ndërsa fshatarët janë larguar nga qyteti i afërt Maungdaw. Ata e kanë mohuar këtë, duke e fajësuar ushtrinë dhe grupet e armatosura aleate Rohingya.

Sipas Zyrës për Koordinim Humanitar dhe Zhvillim (HDCO), ka rreth 590 mijë të zhvendosur në shtetin Rakhine, por organizatat e shoqërisë civile arrijnë vetëm 20-30 për qind të njerëzve të prekur nga konflikti.

“Jemi të padukshëm”

Kur junta i bllokon dërgesat zyrtare të ndihmave, grupet humanitare lokale dhe rajonale përdorin taktika tjera për të operuar, pa aprovimin e ushtrisë, duke rrezikuat jetët e tyre për t’ua dërguar ndihmat njerëzve në nevojë, sipas zyrtarëve. Por nuk është mjaftueshëm.

Të paktën 18.6 milionë njerëz – një e treta e popullsisë së Birmanisë – kanë nevojë për ndihmë humanitare këtë vit, por punonjësit e ndihmave kanë mundur të arrinin vetëm 2.1 milionë, sipas raportit të OCHA-s javën e kaluar. Dhe në territoret ku nuk ka bllokim nga junta, lufta e intensifikuar, fondet e ulëta dhe apatia ndërkombëtare janë duke limituar gjithashtu qasjen e punonjësve të ndihmave.

Punonjësit e ndihmave janë bërë gjithashtu shënjestër e luftës së juntës.

Një depo e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Maungdaw është bastisur dhe djegur, duke privuar komunitetin nga ndihmat ushqimore. 

Kufizimet e vendosura nga junta mbi komunikimet po e kufizojnë gjithashtu aftësinë e punonjësve të ndihmave për të vepruar. Policia e juntës gjithashtu po kontrollon telefonat përgjatë qytetit, sipas një banori.

Ndërkohë programi i OKB-së në Birmani është ndër më të pafinancuarit në botë. Agjencitë e OKB-së dhe partnerët e tyre lokalë vlerësojnë se nevojiten rreth 1 miliard dollarë për t’i financuar përpjekjet e ndihmës në vend deri në vitin 2024, por se kanë mbledhur vetëm rreth 20% të kësaj shume.
Pa rritje të fondeve dhe largim të bllokimit, zyrtarët e ndihmave thonë se do të jenë të detyruar të vendosin se kush merr ndihma humanitare, duke lënë kështu miliona civilë të dëshpëruar e pa mbështetje të nevojshme.

“Fondet e pakta do të rezultojnë në rënien e kushteve të jetesës përtej pikës së riparimit”, ka paralajmëruar raporti i OCHA-s.

Sipas një zyrtari të lartë të OKB-së në Birmani, mungesa e fondeve vjen si pjesë e apatisë ndërkombëtare. Ndryshe nga lufta në Gaza dhe Ukrainë, që raportohen në mënyrë konstante nga agjencitë e lajmeve, shkeljet e të drejtave të njeriut në Birmani marrin pak vëmendje ndërkombëtare, ka thënë ai.

“Jemi bërë të padukshëm”, ka thënë zyrtari. “Donatorët e kanë të vështirë të financojnë misione që janë të padukshme”.

Manastiri në Sittwe, ku Khin Mar Cho dhe familja e saj janë duke qëndruar, varen në ushqimet që sigurohen me financime nga komuniteti lokal.

Një tjetër banore nga Byine Phyu, në kushte anonime, ka thënë se u jepen vetëm dy racione bazike me oriz dhe perime, por fëmijët e saj, 11 dhe 7-vjeçar, shpesh bien të flenë të uritur.

“Ushtarët na i morën të gjitha paratë”, ka thënë ajo. “Çka na duhet tani janë ndihmat dhe mbështetja për ta mbijetuar këtë”.

Edhe pse manastiri është i mbushur me të zhvendosur, murgu ka thënë se ai përpiqet të mbledhë më shumë fonde nga komuniteti, me shpresën t’i ushqejë racione të tjera përpos orizit.
Por ata marrin donacione të pakta ushqimore. Në këtë situatë të rëndë, kampi i tij i improvizuar është i stërmbushur, shumë familje detyrohen të flenë jashtë pa mbulesë në sezonin e shirave dhe janë përhapur sëmundjet, ka thënë murgu.

“Nuk ka OJQ ose mjekë për t’i ndihmuar”, ka thënë ai. “E vetmja ndihmë që mund të marrim është nga zjarrfikësit për funeralet e tyre”.