Botë

Urdhri i GJND-së vështirëson fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar armëpushim në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, por i ka kërkuar Izraelit që të marrë masa për të parandaluar aktet e gjenocidit. Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar armëpushim në Gazë, por e ka urdhëruar Izraelin që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit.

Gjykata ka thënë se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit në luftën kundër Hamasit në Gazë.

Gjykata nuk ka marrë vendim në kërkesën e Afrikës së Jugut nëse ka ndodhur gjenocid në Gazë. Megjithatë e ka njohur të drejtën e palestinezëve në Gazë që të mbrohen prej akteve të gjenocidit.

Afrika e Jugut e ka konsideruar vendimin e GJND-së si “fitore vendimtare” për rendin dhe ligjin ndërkombëtar.

“Afrika e Jugut shpreson, sinqerisht, që Izraeli nuk do të veprojë për të penguar aplikimin e këtij urdhri, siç ka kërcënuar publikisht, mirëpo do ta zbatojë atë plotësisht, sikurse i kërkohet”.

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë. Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Masat e GJND-së

Masat e përkohshme që ka marrë Gjykata: Izraeli duhet të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocidal – vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore, shkaktimi i kushteve që sjellin shkatërrimin e një grupi, parandalimi i lindjeve, Izraeli duhet të sigurojë që ushtria e tij të mos kryejë ndonjë akt gjenocidal, Izraeli duhet të parandalojë dhe të ndëshkojë çdo koment publik që mund të konsiderohet nxitje për të kryer gjenocid në Gaza, Izraeli duhet të ndërmarrë masa për të siguruar qasje për ndihma humanitare, Izraeli duhet të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në një rast gjenocidi, Izraeli duhet ta dorëzojë një raport në gjykatë brenda një muaji nga kur jepet ky urdhër

Izraeli i ka konsideruar akuzat e Afrikës së Jugut si të “pabaza”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se akuza e gjenocidit, që është ngritur kundër Izraelit në GJND, ka qenë “mizore”, dhe ka thënë se do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur veten. “Sikur çdo shtet tjetër, Izraeli gëzon të drejtën e mbrojtjes së vetvetes”, ka thënë ai, përmes një deklarate në gjuhën angleze. “Përpjekja e ndyrë për t’ia mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore, është diskriminim flagrant kundër shtetit hebre, dhe me të drejtë është refuzuar”.

Ndalja e luftimeve në Gazë ka qenë kërkesa kryesore e Afrikës së Jugut.

Si pasojë e operacionit ushtarak të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

“Pas sulmit të Hamasit, Izraeli nisi operacionin e gjerë ushtarak në Gazë duke shkaktuar humbje masive të civilëve, shkatërrim të infrastrukturës dhe zhvendosjen e shumicës së popullsisë në Gazë. Gjykata është në dijeni për shkallën e tragjedisë njerëzore që po ndodh në rajon dhe është e shqetësuar me humbjen e jetëve dhe vuajtjen e njerëzve”, ka thënë Joan E. Donoghue, kryetare e GJND-së.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë kanë vlerësuar se nga luftimet është shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje. Disa janë liruar ndërkohë.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa ka thënë se urdhri i GJND-së duhet respektuar nga të gjitha shtetet që e njohin gjykatën, përfshirë Izraelin.

Pas vendimit të GJND-së, Ramaphosa ka thënë se Afrika e Jugut pret që Izraeli “si demokraci e vetëshpallur dhe shtet që respekton sundimin e ligjit”, duhet t’i bindet urdhrit.

“Disa na kanë thënë që të këqyrim punën tonë dhe që të mos përfshihemi në çështjet e shteteve të tjera mirëpo e dimë këtë rast si njerëz që kemi provuar diskriminimin dhe dhunën e sponsorizuar nga shteti”, ka thënë Ramaphosa.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid. Sipas Konventës së OKB-së, akte të gjenocidit janë vrasja e pjesëtarëve të një grupi, shkaktimi i dëmtimeve serioze trupore ose mendore të një grupi, dhe krijimi i qëllimshëm i kushteve me idenë e shkatërrimit të një grupi, plotësisht apo pjesërisht.

Reagimi i BE-së

Bashkimit Evropian ka thënë se pret zbatim të plotë dhe të menjëhershëm të masave të përkohshme që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mori ndaj Izraelit të premten.

Në një komunikatë për media, BE-ja ka rikonfirmuar mbështetjen për GJND-në dhe vendimet e saj.

“Ne marrim parasysh urdhrin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për kërkesën e Afrikës së Jugut për të treguar masat e përkohshme. BE-ja rikonfirmon mbështetjen e saj të vazhdueshme për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të detyrueshme për palët dhe duhet t'i zbatojnë ato. Bashkimi Evropian pret zbatimin e tyre të plotë, të menjëhershëm dhe efektiv”, thuhet në reagimin e tyre.

Protesta pro-palestineze para GJND-së

Qindra përkrahës të palestinezëve janë mbledhur para objektit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pas urdhrit të saj ndaj Izraelit që të kufizojë numrin e të vdekurve, por nuk ka marrë vendim për ndaljen e luftës në territorin palestinez.

Protestuesit kanë thënë se kanë mendime të përziera në lidhje me urdhrin e GJND-së dhe se kanë pritur që të ketë urdhër për armëpushim.

Afrika e Jugut ka hapur rast në GJND ndaj fushatës së Izraelit, të cilën e ka cilësuar si gjenocid. Gjatë fushatës ushtarake të Izraelit janë vrarë më shumë se 26 mijë palestinezë.