Një gjykatë në Ukrainë ka urdhëruar të premten që ministri i Bujësisë, Mykola Solsky, të dërgohet në paraburgim, në pritje të një hetimi për korrupsion ndaj tij, me akuzat se ai mori pjesë në një blerje të paligjshme të tokës shtetërore me vlerë rreth 7 milionë dollarë.
Solsky i ka mohuar akuzat, të cilat kanë të bëjnë me ngjarje të vitit 2017-2022, para se të niste punën si ministër i Bujqësisë, në mars të vitit 2022.
Ministri e ka paraqitur dorëheqjen e tij të enjten, mirëpo teknikisht vazhdon të mbetet në këtë post, derisa Parlamenti ta rishikojë kërkesën e tij.
Ai është ministri i parë nën presidencën e Volodymyr Zelensky, që cilësohet si i dyshuar në një rast korrupsioni.
Një gjykatës ka thënë se Solsky do të qëndrojë në paraburgim deri më 24 qershor në pritje të një hetimi për të përcaktuar nëse ai duhet të akuzohet zyrtarisht dhe të dalë në gjyq.
44-vjeçari Solsky ka qenë në qendër të përpjekjeve të Ukrainës për të mbajtur industrinë e saj të drithërave pasi pushtimi i plotë i Rusisë ka bllokuar rrugët e eksportit të Detit të Zi, ka shpërndarë fusha me mina tokësore dhe ka lënë të pushtuara toka bujqësore të konsiderueshme.
Kievi ka aplikuar për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe ministri i tij i Bujqësisë do të përfshihej fuqishëm në negociatat për të integruar industrinë gjigante të grurit të vendit në bllokun 27-anëtarësh.