Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini ka përditësuar situatën në territoret e pushtuara palestineze, derisa ka përmendur “ankthin jashtëzakonisht të thellë” në Gaza lidhur me luftën dhe ofensivën e mundshme ushtarake izraelite në Rafah.
Lazzarini ka thënë se ekziston një gjendje e vazhdueshme traume në mesin e banorëve të Gazës.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të martën të nisë inkursionin në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Netanyahu ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme ndalimin e luftës në këmbim të lirimit të pengjeve duke thënë se ofensiva në Rafah është vendimtare për shkatërrimin e militantëve të Hamasit.
Lazzarini ka folur gjithashtu për dëshmitë e mbledhura nga të burgosurit palestinezë, duke thënë se ata i ishin nënshtruar një trajtimi tronditës dhe çnjerëzor.
“Ndër trajtimet çnjerëzore që na kanë përshkruar kanë qenë rrahjet e rënda, sulmet nga qentë, detyrimi për të qëndruar në pozicione të vështira për orë të tëra, ndonjëherë 12 deri në 24 orë, si dhe detyrimi për të mbajtur pelena në vend që të shkojnë në tualet”, ka thënë ai.
Lazzarini i ka vënë theksin gjithashtu edhe disa “lajmeve të mira”, duke thënë se shumica e vendeve donatore që ndërprenë kontributet e tyre pas akuzave nga Izraeli se disa punonjës të agjencisë për refugjatët palestinezë, UNRWA, ishin të lidhur me grupin militant Hamas, kanë rifilluar ofrimin e ndihmave të tyre.
Kombet e Bashkuara u informuan në muajin janar për pretendimet izraelite se 12 punonjës të agjencisë së njohur si UNRWA kishin marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit në Izraelin jugor, raporton AP.
Akuzat e Izraelit çuan në pezullimin e kontributeve për UNRWA-në nga SHBA-ja dhe nga më shumë se dhjetëra vende të tjera, duke çuar në një pauzë të financimit me vlerë rreth 450 milionë dollarë për agjencinë.
Një numër vendesh kanë rifilluar që atëherë kontributet, por Kongresi i SHBA-së ka pezulluar çdo ndihmë për agjencinë deri në mars të 2025-s.
Lazzarini ka treguar për suksesin e mbledhjes së fondeve private dhe bazë për UNRWA-në në mes të pezullimit të ndihmave nga vendet donatore.
“Në gjashtë muaj, agjencia ka mobilizuar në thelb më shumë se 115 milionë dollarë në mbledhjen e fondeve private, që është gjithashtu tregues i solidaritetit të jashtëzakonshëm të shprehur ndaj palestinezëve dhe gjithashtu ndaj agjencisë”, ka thënë ai.
32 mijë anëtarë të UNRWA-së operojnë në Liban, Siri, Jordani dhe territoret palestineze, duke përfshirë 13 mijë në Gaza të cilët ofrojnë arsim, kujdes shëndetësor, ushqim dhe shërbime të tjera për miliona palestinezë dhe familjet e tyre.
Lufta Izrael-Hamas filloi pas sulmit të paprecedentë të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 250 pengje. Izraeli thotë se militantët ende mbajnë rreth 100 pengje dhe eshtrat e më shumë se 30 të tjerëve.
Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë si pasojë e luftës në Gaza, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Qytete të tëra janë shkatërruar dhe kriza e urisë ka goditur rëndë Gazën veriore si pasojë e luftës.