Në raportin e publikuar nga media amerikane, citohen zyrtarë egjiptianë dhe thuhet se Hamasi ka kohë deri të premten e ardhshme për të kthyer përgjigje.
“Izraeli i ka dhënë dritën jeshile udhëheqjes politike të Hamasit për propozimin e fundit të marrëveshjes dhe delegacionet pritet të mbërrijnë në Kajro në ditët në vijim për ta diskutuar atë. Megjithatë, duhet theksuar se liderët e Hamasit nuk i janë përgjigjur ende propozimit dhe pyetja është nëse e kanë parë atë”, shkruan “Wall Street Journal”.
Megjithatë, zyrtarët egjiptianë që folën me WSJ-në në kushte anonimiteti thanë se anëtarët e Hamasit janë të nervozuar sepse propozimet e armëpushimit nuk janë plotësisht të qarta.
“Hamasi dëshiron armëpushim afatgjatë të mbështetur nga garancitë e SHBA-së se Izraeli do të respektojë të gjitha kushtet dhe ka frikë se propozimi aktual do ta lejojë Izraelin të vazhdojë luftën për një periudhë të shkurtër kohore”, thuhet në deklaratë.
Çfarë do të thotë propozimi?
Sipas raportimittë WSJ, marrëveshja parasheh fazën e parë që do të zgjaste deri në 40 ditë dhe në të cilën do të liroheshin 33 pengje izraelite.
“Gjatë asaj periudhe, palët do të fillonin negociatat për armëpushim të përkohshëm. Faza e dytë do të zgjaste të paktën gjashtë javë dhe palët do të bien dakord për lirim më të madh të pengjeve dhe do të angazhoheshin për pauzë më të gjatë në luftime”, thuhet në propozimin e Izraelit.
Për të gjitha këto, Izraeli i dha Hamasit shtatë ditë kohë për t’u përgjigjur.
“Nëse marrëveshja nuk arrihet, ushtria izraelite do ta nisë ofensivën e premtuar prej kohësh në qytetin më jugor të Gazës, Rafah”, thuhet në artikullin e WSJ.
Pritet që propozimit të Izraelit, Hamasi t’i përgjigjet me disa ndryshime. Por nuk do ta refuzojë plotësisht propozimin izraelit.