Ukrainasit kanë festuar Krishtlindjet me një koncert operistik të mbajtur në një strehimore nëntokësore. Dhe derisa qytetarët e Ukrainës janë munduar të harrojnë për disa çaste frikën e luftës nën zhurmën e sirenave të sulmeve, presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur gatishmëri të negociojë në 10-mujorin e pushtimit të Ukrainës
Ndërsa lufta në Ukrainë shënoi 10-mujorin në fundjavën e Krishtlindjeve, Teatri i Operës së Kievit mbajti një koncert të shtunën në një skenë nëntokësore.
Artistët kënduan versionet ukrainase të "Jingle bell rock" dhe këngë të tjera të famshme ndërkombëtare të festave.
Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelenskyy gjatë fjalimit të tij të festave drejtuar popullit ukrainas bëri thirrje për bashkim.
Zelenskyy pranoi se festa do të ketë shije "të hidhur" mes luftës së vazhdueshme me Rusinë dhe për ata që mungojnë në darkën festive.
"Fatkeqësisht, këtë vit të gjitha festat kanë një shije të hidhur për ne. Dhe frymën tradicionale të Krishtlindjes mund ta ndiejmë ndryshe. Darka në tryezën e familjes mund të mos jetë aq e shijshme dhe e ngrohtë. Mund të ketë karrige bosh rreth saj. Dhe shtëpitë tona dhe rrugët mund të mos jenë aq të shndritshme. Dhe kambanat e Krishtlindjeve mund të mos tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese - për shkak të sirenave të sulmit ajror ose - edhe më keq - të të shtënave dhe shpërthimeve”, ka thënë Zelensky.
Më 24 dhjetor u mbushën 10 muaj nga fillimi i pushtimit rus.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se është i gatshëm për negocim me “të gjitha palët e përfshira në luftë, porse akuzoi Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë se po refuzojnë të angazhohen në bisedime.
Putini ka folur në një intervistë të transmetuar në televizionin rus.
Ndërkohë Duke kujtuar lindjen e Jezusit në një stallë, Papa Françesku i qortoi ata që "grabisin" për pasuri dhe pushtet në kurriz të të pambrojturve, përfshirë fëmijët. Ai dënoi luftën, varfërinë dhe konsumerizmin e pangopur.
Në shkëlqimin e bazilikës së Shën Pjetrit, Françesku kryesoi meshën e mbrëmjes ku morën pjesë rreth 7.000 besimtarë, përfshirë turistë dhe pelegrinë, të cilët u dyndën drejt kishës në një mbrëmje të ngrohtë dhe zunë vendin e tyre pas rreshtave të priftërinjve me veshje të bardha.
Françesku nxori mësime nga përulësia e orëve të para të jetës së Jezusit në një grazhd.