Autoritetet ukrainase kanë urdhëruar evakuimin e qytetit Pokrovsk dhe fshatrave përreth, pas përparimit të forcave ruse. Qyteti i rëndësisë strategjike Pokrovsk është një nga bastionet kryesore të mbrojtjes së Ukrainës dhe një qendër kryesore logjistike e trupave ukrainase në frontin lindor.
Autoritetet ukrainase kanë urdhëruar evakuimin e një qyteti kyç në rajonin e Donbasit, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të bëjnë përparime në lindje të Ukrainës. Forcat ruse po përparojnë përkundër ofensivës së Ukrainës në rajonin Kurs të Rusisë.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se familjet me fëmijë që jetojnë në Pokrovsk dhe fshatrat përreth duhet të largohen.
Kreu i qeverisjes ushtarake të qytetit, Serhii Dobriak, ka thënë se banorët kanë më së shumti dy javë për t’i ikur përparimit rus në rajon.
Qyteti i rëndësisë strategjike Pokrovsk është një nga bastionet kryesore të mbrojtjes së Ukrainës dhe një qendër kryesore logjistike e trupave ukrainase në frontin lindor.
Guvernatori i rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin, ka thënë se mbi 53 mijë persona, përfshirë 4 mijë fëmijë, gjenden ende në qytet.
Ai tha se autoritetet kanë marrë vendimin për evakuimin e detyrueshëm të fëmijëve dhe prindërve apo kujdestarëve të tyre.
“Kur qytetet tona janë brenda rrezes së pothuajse çdo arme të armikut, vendimi për evakuim është i nevojshëm dhe i paevitueshëm”, tha Filashkin.
Dobriak tha se evakuimet nga qyteti janë rritur te 500 deri 600 persona në ditë. Ai ka thënë se derisa shërbimet bazë vazhdojnë të operojnë në qytet, kjo pritet se shpejti të pushojë, ndërsa ushtria ruse do të afrohet.
Urdhri i evakuimit erdhi ndonëse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e tij po vazhdojnë të bëjnë përparime të mëdha gjatë inkursionit në rajonin Kurs të Rusisë.
Zelensky ka thënë se inkursioni “po arrin qëllimet”, duke shtuar se më shumë të burgosur rusë të luftës janë shtuar në atë që e quajti “fond shkëmbimi”.
Një nga qëllimet e inkursionit thuhet se ishte që t’i largojnë trupat ruse nga rajoni i Donbasit dhe të lehtësohet presioni mbi trupat ukrainase të rrethuara atje.
Të hënën blogerët ushtarakë rusë pretenduan se Ukraina ka hedhur në erë një urë të tretë mbi lumin Seym në rajonin Kursk. Kievi nuk mori përgjegjësinë, por shkatërrimi i urave do të pengojnë logjistikën ushtarake ruse dhe do të ndihmojë Ukrainë që të konsolidojë kontrollin mbi territorin që e ka marrë nga Moska.