Kryetari i qytetit ukrainas të Kharkivit, Ihor Terekhov ka thënë se situata në zonë ka qenë "më e qetë" që kur raketat ruse që e granatuan atë u goditën nga armët ukrainase.
Komentet e Terekhovit erdhën gati dy javë pasi SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore dhanë miratimin që Ukraina të godiste objektivat brenda Rusisë pranë Kharkivit, raporton BBC.
Ai po fliste në një konferencë në Gjermani ku mori pjesë edhe presidenti Volodymyr Zelensky, e cila synon të inkurajojë vendet evropiane për të mbështetur dhe investuar në Ukrainë.
Rusia thotë se ka pushtuar dy fshatra ukrainase ndërsa vazhdon ofensivën e saj të filluar në maj.
Zyrtarë të ministrisë ruse të Mbrojtjes kanë thënë se Tymkivka në rajonin e Kharkivit dhe Miasozharivka në rajonin e Luhanskut ishin marrë nga forcat e saj.
Megjithatë, të hënën Zelensky ka thënë se Ukraina po vazhdonte "aktivitetet kundër-sulmuese" në rajonin e Kharkivit.
Ai mohoi raportet e liderit pro-rus çeçen, Ramzan Kadyrov se forcat e tij kishin kapur një fshat në rajonin Sumy, i cili kufizohet me Rusinë në perëndim të Kharkivit, duke thënë se nuk kishte prani ruse në zonë.
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar pesë të vdekur nga bombardimet ruse në 24 orët e fundit, katër prej tyre në rajonin e Kharkivit.
Terekhov ka thënë se granatimet e Kharkivit ishin bërë më të shpeshta në dy ditët e fundit, por në përgjithësi kishte qenë më e qetë.
"Ka pasur një ndërprerje në granatimet, që mendoj se lidhet me faktin se pajisjet me të cilat po granatohej Kharkivi janë goditur me sukses”, ka thënë ai për Reuters.
“Në krahasim me majin kemi përjetuar një javë pak a shumë të qetë deri të dielën... Prandaj ka qenë pak më e qetë, por nuk mund të them se ka qenë plotësisht kështu”.
Zelensky ka kërkuar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndaluar sulmet ruse, në konferencën në Gjermani.
Duke folur së bashku me presidentin ukrainas, kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se Gjermania po dërgonte më shumë mbrojtje ajrore, duke përfshirë një sistem të tretë Patriot dhe raketa për të ndihmuar Ukrainën.
Në fund të majit, zyrtarët amerikanë thanë se presidenti Joe Biden kishte lejuar Ukrainën të përdorte armë të furnizuara nga Amerika për të goditur objektivat në Rusi, por vetëm pranë rajonit të Kharkivit.