Botë

Ukraina thotë se nuk është e interesuar të marrë territore ruse

Tanket ne Kursk

Foto: Associated Press

Ukraina ka thënë se nuk është e interesuar të “marrë territor” në rajonin Kursk, raporton “BBC”. 

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se ofensiva ukrainase në Kursk do të ndalet kur Rusia të pranojë të bëjë paqe. 

“Sa më shpejt që Rusia të pranojë të rivendosë një paqe të drejtë, aq më shpejt do të ndalen sulmet ukrainase në territorin rus. Për sa kohë që Putini vazhdon të luftojë, atëherë do të marrë përgjigje të tilla nga Ukraina”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. 

Ai ka shtuar se operacionet ukrainase në rajon po ndihmojnë vijën e frontit, pasi po e pengon Rusinë të bëjë lëvizje shtesë në Donetsk. 

E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është përballur me një “kundërpërgjigje të denjë”, pasi mbrojtja ajrore e Kievit pretendoi se shkatërroi 30 nga 38 dronët që Rusia i lansoi gjatë natës. 

“Natën e kaluar, terrori rus mori edhe një kundërpërgjigje të denjë”, ka shkruar Zelensky në platformën “X”. 

Ai ka falënderuar luftëtarët “që po sigurojnë qiellin ukrainas me saktësinë e tyre”. 

“Forcimi i mbrojtjes sonë dhe aftësisë tonë për të zmbrapsur këtë terror rus mbetet një prioritet kyç“, ka thënë Zelensky. 

Inkursioni ukrainas është futur në ditën e tetë. Trupat ukrainase kanë depërtuar disa kilometra brenda territorit rus, duke marrë dhjetëra vendbanime ruse nën kontroll. 

Zyrtarët rusë kanë thënë se janë hapur 400 strehimore të përkohshme për të evakuuar 30 mijë persona. Rreth 121 mijë persona janë evakuuar nga Kursku.