Qeveria e Ukrainës ka njoftuar se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për mineralet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka raportuar “BBC”.
Ministrja e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko ka deklaruar se kjo ka hapur rrugën për atë që ajo e quan një marrëveshje për partneritet ekonomik.
Ajo ka thënë se një marrëveshje finale po ashtu do të përfshinte një fond investimesh për rindërtimin e Ukrainës. Zyrtarët e SHBA-së kanë shprehur shpresë se një marrëveshje mund të përfundojë deri në fund të javës.
Svyrydenko ka njoftuar nënshkrimin e memorandumit në rrjetin social “X” por nuk ka dhënë detaje shtesë.
“Ne jemi të lumtur të ju njoftojmë nënshkrimin, me partnerët tanë amerikanë, të një momerandumi, që i hap rrugë një marrëveshjeje për partneritet ekonomik dhe krijimin e një fondi investimesh për rindërtimin e Ukrainës”, ka shkruar Svyrydenko.
Nënshkrimi është bërë përmes një videothirrjeje me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent.
“Është substanciale ajo që jemi pajtuar më herët. Kur presidenti Zelensky ishte këtu, ne kishim një memorandum të mirëkuptimit. Ne shkuam direkt te marrëveshja e madhe, dhe mendoj është një marrëveshje 80 faqesh dhe kjo është çfarë do të nënshkruajmë”, ka deklaruar Bessent.
Donald Trump po ashtu e ka përmendur marrëveshjen gjatë konferencës me lideren italiane, Giorgia Meloni, të enjten (dje).
“Ne e kemi një marrëveshje për mineralet që mendoj se do të nënshkruhet të enjten ... të enjten e ardhshme. Shpejt. Dhe mendoj se do t’i përmbahen marrëveshjes. Pra do të shohim. Por ne kemi një marrëveshje për të”, ka deklaruar Trumpi.
We are happy to announce the signing, with our American partners, of a Memorandum of Intent, which paves the way for an Economic Partnership Agreement and the establishment of the Investment Fund for the Reconstruction of Ukraine. pic.twitter.com/AQsHPkWh5X