Botë

Ukraina sulmon një depo nafte në Krimenë e pushtuar

Lufta ne Ukraine

Ushtria e Ukrainës thotë se ka kryer një sulm në një terminal të madh nafte në brigjet e gadishullit të okupuar të Krimesë, i fundit në një valë sulmesh që synojnë objektet energjetike të kontrolluara nga Rusia.

Zyrtarët në Kiev kanë thënë se forcat raketore të vendit kryen sulmin në terminalin Feodosia, objekti më i madh i përpunimit të naftës në gadishull, në një sulm gjatë natës, raporton BBC.

Nuk raportohet për viktima nga shpërthimi.

Një emergjencë në nivel komunal është shpallur, teksa 300 njerëz janë evakuuar nga Feodosia për shkak të zjarrit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Tass.

Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale duket se tregojnë tymin që ngrihet mbi terminalin e Feodosia.

Zyrtarët lokalë të instaluar nga Rusia i kanë thënë RIA Novostit se përpjekjet për të shuar zjarrin po vazhdojë. 

Ndërkohë, ministria e mbrojtjes në Moskë ka bërë të ditur se 12 dronë ukrainas u rrëzuan mbi gadishull gjatë natës nga gjithsej 21 të lëshuar nga Kievi.

Në një deklaratë ku njoftohej për sulmin, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se produktet e naftës të dërguara nga terminali po përdoren për të "plotësuar nevojat e ushtrisë pushtuese ruse". 

Rusia e ka aneksuar ilegalisht gadishullin në vitin 2014.

Objekti ishte goditur nga një sulm me dron ukrainas edhe në mars.