Botë

Ukraina sulmohet nga 130 dronë rusë

Sulm rus

Foto: Associated Press

Rusia ka nisur një nga sulmet më të mëdha në Ukrainë gjatë muajve të fundit, duke e shënjestruar Kievin e qytetet tjera dhe duke nisur zjarr në një objekt industrial në rajonin perëndimor, Ternopil, kanë thënë zyrtarët të mërkurën.

Mbrojtja ajrore ka rrëzuar 52 nga 136 dronët e përdorur në sulm, kanë thënë forcat ajrore. 20 dronë janë akoma në ajër dhe për 60 të tjerë nuk dihet, ndoshta sepse janë rrëzuar nga sistemet e luftës elektronike, kanë shtuar forcat.

Rreth 50 zjarrfikës kanë shuar një “zjarr të shkallës së madhe” në rajonin Ternopil, ka shkruar në Telegram, administrata ushtarake. Sipas administratës, nuk ka të lënduar.

Forcat ajrore kanë thënë se Rusia gjithashtu ka lëshuar dy raketa në rajonin verior, Chernihiv dhe atë lindor, Donetsk, por nuk ka dhënë informacione se çfarë u ka ndodhur raketave, raporton  Reuters.

Sulmi me dronë ka shkaktuar zjarr në një vendbanim privat jashtë Kievit, dhe ka dëmtuar disa ndërtesa të tjera, sipas guvernatorit, Ruslan Kravchenko.

Rajoni ka pasur alarme ajrore për më shumë se 12 orë pas sulmit. Kravchenko ka thënë se nuk ka viktima.

Të gjithë dronët e nisur drejt Kievit janë shkatërruar dhe nuk ka pasur raportime për dëme ose lëndime, ka thënë shefi i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko.

Sulmet ruse kanë goditur objektet e energjisë elektrike të Ukrainës dhe kanë shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë elektrike këtë vit. Ndërprerjet e radhës janë pothuajse të sigurta se do ta bëjnë dimrin të vështirë për ukrainasit larg vijës së frontit, ku trupat ruse kanë përparuar.